Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias u shpreh se “Shqipërinë e shohim si një fqinje, një mike të afërt dhe shpresoj së shpejti si pjesë e familjes sonë të përbashkët europiane”.

Gjatë çeljes së ekspozitës personale të kryeministrit Rama në Athinë, Dendias u shpreh se përzgjedhja e “Zappeion Megaron”, e cila është pjesë e trashëgimisë kombëtare të qytetërimit grek, për të çelur këtë ekspozitë, mbart një simbolikë shumë të fortë dhe të qartë.

“Ky është pikërisht vendi ku në vitin 1979 u nënshkrua Traktati i Anëtarësimit në atë që ishte Komuniteti Ekonomik Europian asokohe.

Isha një student shumë i ri i Universitetit të Athinës, që ndodhet diku atje, përtej kolonave, që shihja Georgios Ralis dhe Konstantinos Karamanlis që hidhnin firmën pikërisht këtu.

Kështu, ky është pasqyrim i mënyrës si e shohim Shqipërinë, një fqinjë, një mike të afërt dhe, më lejoni ta them, shpresoj, së shpejti, si pjesë e familjes sonë të përbashkët europiane”, u shpreh Dendias.