Moska dhe Kievi po takohen sot në Stamboll në raundin e dytë të bisedimeve që synojnë t’i japin fund luftës së përgjakshme. Të dyja palët pritet të shkëmbejnë plane se si duan t’i japin fund pushtimit trevjeçar rus të Ukrainës, konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Delegacionet ukrainase dhe ruse mbërritën në Pallatin Ciragan të Stambollit , së bashku me zyrtarë të lartë turq, për raundin e dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta për paqe në tre vjet.
Të dyja palët pritet të shkëmbejnë plane se si duan t’i japin fund pushtimit trevjeçar rus të Ukrainës, konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Megjithatë, klima është përkeqësuar, ndërsa Ukraina feston goditjen që arriti t’u shkaktojë katër bazave ushtarake ruse nëpërmjet dronëve dhe Rusia e karakterizon “sulmin” si një akt terrorist, të dyja palët po drejtohen në tryezën e bisedimeve të paqes në Stamboll në një atmosferë të tensionuar.
Pala ukrainase është gati për “hapa të mëdhenj”
Ukraina është gati të ndërmarrë “hapa të mëdhenj” për të bërë përparim drejt paqes në një raund të dytë bisedimesh me zyrtarët rusë në Stamboll të hënën, tha një burim nga delegacioni i Kievit për AFP-në.
“Delegacioni ukrainas erdhi në Stamboll me një axhendë të qartë dhe gatishmëri për të ndërmarrë hapa të mëdhenj drejt paqes”, tha burimi, duke shtuar se Ukraina shpreson që pala ruse “nuk do t’i përsërisë thjesht të njëjtat ultimatume të mëparshme”.
Në fakt, në komentet për agjencinë AFP, ai tha se Rusia ende nuk ka dhënë planin e saj se si të ndalojë luftimet. “Nëse ata kanë ardhur me fleksibilitetin për të ndërmarrë hapa të vërtetë drejt paqes, nga ana jonë ne jemi gati.” “Nëse ata janë të gatshëm të ecin përpara, jo vetëm të përsërisin të njëjtat ultimatume të mëparshme, atëherë sot mund të ketë lajme të mira dhe të mëdha”, tha burimi.
Deklaratat e Zelensky-t
“Ukraina është e gatshme të marrë masat e nevojshme për paqen”, theksoi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nga Vilnius, ku po merr pjesë në takimin e NATO-s. Ai shtoi se nëse Rusia i minon bisedimet në Stamboll dhe nuk ka rezultat, atëherë “sanksione të reja janë urgjentisht, urgjentisht të nevojshme”.
Përpara bisedimeve, zyrtarët ukrainas në Stamboll u takuan me përfaqësues të Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Kievit.
“Palët koordinuan qëndrimet e tyre përpara takimit të sotëm midis delegacioneve ukrainase dhe ruse. Anëtarët e delegacionit ukrainas përsëritën angazhimin e Ukrainës ndaj përpjekjeve për paqe”, tha zëdhënësi.
Negociatat vijnë pas raundit të parë të bisedimeve të Stambollit, të cilat përfunduan më 16 maj me një marrëveshje për shkëmbimin më të madh të të burgosurve të luftës, por pa përparim të prekshëm drejt një marrëveshjeje paqeje.
Rusia nuk e ka paraqitur zyrtarisht planin e saj për kushtet e paqes, por Ukraina planifikon të paraqesë një plan të detajuar që synon sigurimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Përpjekje e re për sabotim
Disa orë para fillimit të negociatave, pala ruse njoftoi se kishte parandaluar një sabotim të ri në një linjë hekurudhore. Konkretisht, Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB, kundërzbulimi) parandaloi një përpjekje për zjarrvënie pranë shinave hekurudhore në rajonin Primorsky Krai – ose Primorye – në Lindjen e Largët Ruse, e cila tha se do të kryhej me urdhër të spiunazhit ukrainas, raportoi sot agjencia e lajmeve RIA.
“U vërtetua se dy 19-vjeçarë banorë të Primorsky Krai, duke vepruar sipas urdhrave të shërbimeve speciale ukrainase” dhe “duke pritur të merrnin një shpërblim monetar”, po planifikonin të “vënin zjarrin kutive të releve” të sistemit të sinjalizimit pranë shinave, raportoi RIA, duke cituar FSB-në./kohajuaj