Kryeministri Edi Rama ka kritikuar heshtjen e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian ndaj deklaratave “të rrezikshme” dhe “nxitëse” të kreut të Republikës Sërpska, Milorad Dodik.
Rama thotë në një reagim në rrjetin social “X” se është i befasuar nga mungesa e deritanishme e reagimit të BE-së dhe se shpreson që kjo heshtje të thyhet sa më shpejt.
“Kanë kaluar tre ditë që nga deklaratat e rrezikshme dhe nxitëse kundër Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi. Duhet të rrëfej, jam i befasuar nga mungesa e reagimit të deritanishëm nga partnerët tanë të BE-së dhe sinqerisht shpresoj që kjo heshtje të thyhet sa më shpejt”, shkruan Rama.
Dodik deklaroi tre ditë më parë se Serbia e shekullit të ri do të jetë një shtet që do të përfshijë territoret e Bosnjes dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës.