Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Joe Biden dhe zonja e parë Jill kanë deklaruar rreth 580 mijë dollarë të ardhura një vit më parë dhe paguan një normë efektive tatimore federale prej 23.8%. Ndërsa zv/presidentja Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj deklaruan 457 mijë dollarë. Shifrat konfirmohen nga dokumentet e publikuara nga Shtëpia e Bardhë, në bazë të deklarimit të pasurive nga të dy çiftet.
Çifti presidencial gjithashtu dhuroi afërsisht 3.5% të të ardhurave të tyre, ose 20.180 dollarë amerikanë për 20 organizata bamirëse, duke përfshirë një për sindikatat e policisë. Ky deklarim pasurie u bë para skadimit të afatit para një gare presidenciale të vitit 2024, në të cilën Biden pritet të kërkojë një mandat të dytë katërvjeçar. Një garë e tillë mund të krijojë një përsëritje të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 midis demokratit Biden dhe ish-presidentit republikan Donald Trump.
Në ndryshim nga republikanët, Biden ka propozuar taksa më të larta për korporatat dhe individët që fitojnë më shumë se 400 mijë dollarë në vit. Trump theu traditën e presidentëve që deklaronin pasurinë e tyre, duke thënë se ai nuk ishte në gjendje ta bënte këtë gjatë auditimit nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme, edhe pse agjencia pretendonte se ai ishte i lirë t’i publikonte ato.
Vitin e kaluar, i pari i Biden si president, çifti raportoi 610.702 dollarë të ardhura. Biden merr një pagë prej 400 mijë dollarësh si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa Jill Biden e cila nuk ka hequr dorë nga profesioni i saj dhe pas vendosjes në Shtëpinë e Bardhë, paguhet 82.335 dollarë amerikanë nga puna e saj si mësimdhënëse e gjuhës angleze në Kolegjin e Virxhinias Veriore.
Pjesa e mbetur e të ardhurave të tyre nxirret nga interesat e investimeve, pensionet, anuitetet, shpërndarjet nga llogaritë e pensionit dhe Sigurimet Shoqërore, si dhe nga një korporatë që mbledh honoraret e tyre të librave të publikuar, sipas deklaratës së përbashkët tatimore. Donacionet e tyre bamirëse përfshinin kontribute për kishat dhe organizatat e përqendruara në ndihmën e fëmijëve dhe personave përgjegjës për ‘ta, duke përfshirë 2 mijë dollarë amerikanë për një organizatë të identifikuar si “Fondacioni i Urdhrit Vëllazëror të Policisë”.