Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka deklaruar se është ndjerë e kërcënuar nga komentet e bëra muaj më parë nga ministrja e Brendshme britanike, Suella Braverman, lidhur me shqiptarët.
Në një lidhje me “skype” për një nga mediat angleze Tabaku kritikoi Braverman për “veçimin” e komunitetit shqiptar.
Ajo tha se Shqipëria dhe Britania e Madhe duhet të trajtojnë së bashku largimin e shqiptarëve, teksa më tej shtoi se dhe politikanët shqiptarë duhet të trajtojnë problemin nga brenda dhe jo t’i lënë fajin Mbretërisë së Bashkuar.
E pyetur nëse komentet e Bravermanit ishin marrë në mënyrë të gabuar, Tabaku tha se ministrja ka mbajtur të njëjtin tregim për një periudhë të gjatë.
“Kam studiuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe si shqiptare jam ndjerë shumë e kërcënuar nga komentet e saj. Si politikane, më vinte keq që komuniteti i mahnitshëm shqiptar po veçohej, sulmohej dhe ngacmohej vetëm sepse kishte një problem. Ne duhet të pranojmë se ka një problem që duhet trajtuar nga të dyja palët.
Ka një problem në Britaninë e Madhe me sistemin që ekziston atje, por edhe në Shqipëri ka një problem sepse njerëzit po ikin. Rritja e shkallës së largimit të njerëzve, duhet të na bëjë ne politikanët në Shqipëri të kuptojmë se duhet trajtuar nga brenda dhe jo vetëm ta lëmë fajin në anën e Mbretërisë së Bashkuar”, u shpreh Tabaku për median britanike.
Kujtojmë se Suella Braverman tha se vendi përballet me një “pushtim” nga njerëzit që përshkojnë me varka kanalin e Lamanshit, ku i cilësoi shqiptarët si “kriminelë”.