Deklaratat e Albin Kurtit për raportin e Kosovës, SHBA dhe Serbisë kanë ngjallur kundërreagime të forta në Prishtinë, Kryeministri ka thënë se nuk pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta shohin Serbinë siç ai e sheh, mirëpo ka shtuar se as ata nuk duhet të presin që ai Beogradin ta shohë me sytë e tyre.
Këto komente, Kurti i ka bërë në një intervistë për “Public Square”, që moderohet nga ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, derisa po fliste për marrëdhëniet me SHBA-të.
“Një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve: As nuk pres që ShBA-të ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit”, tha Kurti.
“Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetëra njerëz të cilët janë vrarë në lufte dhe i kam njohur gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe të shqipatrëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi, me Serbinë si shtet në veçanti”, shtoi ai.
Kurti theksoi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë ndërsa Amerika ka qenë dëshmitare e ketyre krimeve..
“SHBA-të janë dëshmitarë, nuk janë viktimë. Ne jemi viktima. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë”.
Prandaj, ai beson se Serbinë “e njeh më mirë”, dhe ndaj saj nuk mund ta ketë të njëjtin qëndrim e as ndjeshmëri, si Departamenti i shtetit.
“Kjo do të thotë që duhet të bashkëbisedojmë, marrëdhënia jonë duhet të jetë e aleatëve, miqve dhe partnerëve. Mirëpo, kjo nuk do të thotë jemi identikë”.
Kurti shtoi se ambiciet e tij për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit.
“Ambiciet e mia për Kosovën dhe për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit dhe të Brukselit”, potencoi ai, dhe vazhdoi “besoj që kjo është normale. Paramendoni sikur të ishte ndryshe”.
Por këto deklarata të Kurtit kanë ngritur në këmbë kundërshtarët e tij ‘pro amerikanë”.
I pari që reagoi ishte Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili, kur ishte vetë në krye të qeverisë u përplas fort me SHBA-në për taksën 100%. Përmes një postimi në Facebook, tha se Albin Kurti flet në emër të vetin e jo të Kosovës.
“Ai ka kohë që nuk e përfaqëson qëndrimin e këtij populli. Duhet të jesh shumë smirëzi të thuash ‘mos të presë Amerika që unë ta shoh Serbinë me sytë e saj’, shkroi Haradinaj.
Sytë e Amerikës, theksoi ish-kryeministri, “kanë qenë pilotët e saj që e kanë shpëtuar një popull nga zhdukja, o i mjerë!”, duke iu referuar ndërhyrjes së NATO-s, e cila e kishte bombarduar Serbinë në vitin 1999, për shkak të spastrimit etnik që po e bënte në Kosovë, dhe përkrahësja më e madhe për bombardimet kishte qenë ShBA-ja.
Reagim pati edhe na Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.
Përmes një postimi në Facebook, ajo është treguar e ashpër me kryeministrin Kurti, duke i thënë atij “nihilist” e “cinik”, dhe se i njëjti do të mbetet pa asnjë rezultat.
“Po, Albin, Amerika nuk e sheh Serbinë me sytë e tu. E kuptueshme kjo”, shkroi fillimisht ajo, duke shtuar se “po me sytë e tu nuk e sheh as Kosovën”
Se në sytë e tu, i tha Çitaku Kurtit, “Kosova është shkatërru qe dy dekada”, e ndërsa, sipas saj, “në sytë e Amerikës, Kosova është çliru, pavarësu, zhvillilu, ndërtu”.