Fredi Beleri ka qenë dëshmitar në gjyqin që i është bërë në Greqi të shumëkërkuarit nga drejtësia shqiptare, Bledar Jambelli.

Deklaratën e fortë e bëri gazetarja Klodiana Lala, e cila tha se disponon edhe dëshminë e Belerit në gjyqin grek për Jambellin.

Mbetet e paqartë se përse është thirrur pikërisht Beleri në gjyqin ndaj një personazhi që konsiderohet tepër i rrezikshëm i botës së krimit, dhe se çfarë ka deklaruar.

Bledar Jambelli akuzohet se është personi që ka porositur Mikel Shallarin të ekzekutojë kryekomisarin e policisë Artan Cuku.

Jambelli, i njohur ndryshe si Rikard Muho, nga fshati Mbrostar i Fierit konsiderohet si vrasës me pagesë. Ai u ndalua në vitin 2019 në Greqi por shteti helen refuzoi ta ekstradojë.

Në atë kohë u përfol në media se autoritetet shqiptare kishin neglizhuar dhe vonuar qëllimisht procedurat për ekstradimin e tij.

Jambelli ra sërish në prangat e policisë greke në korrik të vitit 2022, së bashku me Kristaq Lecin, pasi dyshohen si të përfshirë në një përplasje me armë mes bandave ku mbetën të plagosur tre persona.