Kryeministri Edi Rama ka bërë një bilancë të ngjarjeve të vitit që po lëm pas, gjatë fjalës së tij në mbrëmjen tradicionale të fundvitit, me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri.
Sipas Ramës, 2023 ishte një vit i mirë për Shqipërinë, por edhe më e mirë do të jenë viti që do të vijë.
Kryeministri u ndal te sukseset e shumta të shënuara, nga përparimi në bisedimet për anëtarësim, kombëtarja shqiptare e futbollit në krye të grupit në përfundim të eliminatoreve të Europianit 2024, deri te bumi i madh i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë.
Fjala e plotë:
Jemi mbledhur sonte këtu në këtë mbrëmje tradicionale, pas një tjetër viti të mbushur me sfida të reja, pasiguri, po edhe mundësi, i cili po mbyllet dhe një viti të ri që po vjen.
Ca miq të mirë të një viti më parë nuk janë sot me ne dhe miqve të rinjve qe i kanë zëvendësuar, dua t’iu uroj ngrohtësisht mirëseardhjen rreth kësaj tryeze familjare. Është një sekret i madh publik që Shqipëria është një vend i shkëlqyer për të huajt dhe veçanërisht, për ambasadorët e mbi të gjitha, për ata amerikanë.
Ende as edhe një i vetëm nuk e ka lënë këtë vend pa keqardhje për përfundimin e mandatit dhe shumë dëshmitarë e kanë konfirmuar herë pas here, qe të larguarit nuk kane mundur ta largojnë Shqipërinë nga vendi i privilegjuar që zë në zemrat e mendjet e tyre. Nëse dikush do të më ndihmojë me një gotë, do të doja të bashkoheshit me mua për t’iu uruar në mungesë një Vit të Ri të gëzuar të gjithë atyre dhe uroj që shqiponjat e këtij vendi t’i ndihmojnë në rrugën e tyre ne vazhdim. Pra, gëzuar për paraardhësit tuaj që nuk janë më këtu! Jam i sigurt që ju kane shume zili juve sonte.
Ndërsa jeni ftuar për një moment të gëzuar në këtë xhevahir të ri të çmuar të industrisë së re të agroturizmit në Shqipëri, që i ka hapur dyert sonte për herë të parë, për të na mikpritur, do doja dhe kjo është jashtë skenarit, të duartrokisnim për njerëzit që e kanë bërë këtë bukuri realitet, Blerinën dhe bashkëshortin e saj. Uroj që të gjithë ata që ende kane durim të ndjekin një tjetër fjalim timin sot nga përtej kamerës, të vijnë këtu. Blerina Farm në Laknas! Një mrekulli!
Për fat të keq do të më duhet të sjell këtu dhimbjet e mëdha të përditshme të Gazës, pas llahtarive të 7 tetorit. Është detyra ime dhe sinqerisht, detyra e gjithsecilit, për të mos heshtur për këtë, në çdo rast të mundshëm teksa po ndodh një shkatërrim i përmasave monumentale në sytë e mbarë botës. Pa lëvizur asnjë grimë nga qëndrimi i prerë se nuk ka vend për Hamasin dhe të ngjashmit e tij në botën ku duam të jetojmë, ne shqiptarët, nuk mund ta pranojmë mohimin e përsëritur të së drejtës ulëritëse të popullit palestinez për të pasur vendin e tij të sigurt në këtë botë, të drejtën e tij për t’i lindur e rritur fëmijët në shtetin e tij. E di mjaft mirë se garantimi i një kushti kaq elementar për miliona palestinezë është shumë më i lehtë të thuhet se sa të bëhet, po aq sa është shumë më e lehtë të thuhet se të bëhet, që populli hebre të jetojë në tokën e vetë pa u vënë nga askush në diskutim e drejta e Izraelit për të ekzistuar.
Megjithatë, nuk është fort e vështirë të konstatosh se kaq shumë dhunë dhe shkatërrim nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë si për Izraelin, ashtu edhe për Palestinën. Uroj që Viti i Ri të ngrejë peshë shpirtin e paqes e të pajtimit dhe të dëbojë fantazmat e errëta të shkatërrimit dhe luftës nga Toka e Shenjtë, ku njerëzit e të gjitha besimeve meritojnë të jetojnë në harmoni si bij të të njëjtit Zot.
Uroj po ashtu, që ky Vit i Ri të sjellë dritën e paqes për ukrainasit që kanë vazhduar luftën kundër një agresori të pamëshirshëm dhe do ta kenë gjithherë solidaritetin dhe mbështetjen tonë të palëkundur. Ka qenë sidoqoftë, një vit i mirë për Shqipërinë dhe dua t’ju falënderoj të gjithëve, që keni qenë bashkudhëtarë të mirë në këtë rrugëtim shprese, ambiciesh dhe pune të madhe për ta transformuar këtë vend në Europën e Ballkanit. Nuk mund të jem më krenar se kaq për miqësinë që kemi ushqyer dhe forcuar në këtë rrugë dhe nuk i falënderoj dot mjaftueshëm miqtë tanë të Bashkimit Europian për mbështetjen gjithnjë e më të fortë që po marrim prej tyre. Deri jo shumë kohë më parë ky ndryshim qasjeje i tyre ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi do të kishte qenë i paimagjinueshëm. Kjo për ne vlen sa bota, por ne nuk e marrim aspak lehtë, po e çmojmë me të gjithë barrën e përgjegjësive që rriten në çdo hap që na afron.
Përparimi në bisedimet për anëtarësim sapo ka nisur dhe, falë më shumë se 1 000 grave e burrave të angazhuar gjatë 14 muajve të fundit në emër të Shqipërisë për 777 tema të procesit të analizës ligjore dhe institucionale të negociatave, tregon se e kemi nisur me këmben e duhur këtë proces të ri kaq kërkues të transformimit. Nuk ishte e lehtë të përfytyroje punën e epërme të një ekipi kaq të madh, por nuk ishte më e lehtë të imagjinoje kombëtaren shqiptare të futbollit në krye të grupit në përfundim të eliminatoreve të Europianit 2024.
Megjithatë të dyja ndodhën këtë vit dhe të dyja janë arsye të forta për të kërkuar më shumë nga vetja dhe për të mos e reshtur asnjëherë punën për t’u bërë më të mirë në çdo fushë dhe në çdo kohë që luajmë.
Shqipëria po ecën më mirë, por më e mira është e gjitha para nesh dhe jam i sigurt, më shumë se i sigurt, se viti që vjen do të jetë më i mirë se i tanishmi, që ka qenë viti më i mirë deri më sot.
Bumi turistik do të ndiqet në vitin 2024 nga një histori shumë më e madhe suksesi, që do të çelë kapitullin e ri të mbi 10 milionë turistëve. Viti 2024 do të hyjë si viti me borxhin më të ulët publik qëkurse morëm detyrën dhe do të ketë të ardhurat më të larta, falë përmirësimeve të rëndësishme që jemi përgatitur të bëjmë në mbledhjen e tatimeve, pa rritur ndërkohë as edhe një taksë të vetme. Leku nuk ka qenë kurrë më i fortë, inflacioni është kthyer në nivele normale dhe më shumë investime private, vendase e të huaja, do të hyjnë në ekonominë e vendit. Paga mesatare në sektorin publik do të rritet me një nivel rekord, 900 euro, e ndjekur nga një rritje tjetër domethënëse e pagave në sektorin privat dhe ulje e mëtejshme e papunësisë, që do të bjerë nën 10%.
Do të nisin projekte të reja e të mëdha në infrastrukturë dhe energjetikë, nga segmentet e reja të Korridorit Blu, te thirrja për tenderin ndërkombëtar të Portit të Durrësit, një risi e madhe transformuese për të gjithë rajonin. Nga gazsjellësi i ri që do të lidhë termocentralin e rinovuar të Vlorës tek impiantet e reja të energjisë diellore dhe të erës. Le të shpresojmë që më në fund, pas viteve të një pune të gjatë dhe një durimi edhe më të gjatë, këtë vit që vjen do të marrim lajmin e madh që të gjithë po presim nga eksplorimet në Shpirag dhe që më në fund, tregtarët botërisht të njohur holandezë, të flasin e të mos vazhdojnë ta mbajnë për vete sekretin e zbulimit të madh.
Këtu përfundon fjala ime e shkruar dhe mendojeni, e ndala së shkruari se pata shumë frikë se do të ishte një tjetër fjalim i gjatë. Besoj se mjafton kaq për atë që do të vijë, është shumë më mirë të presim me padurim të ndodhë dhe jam i bindur që ky vend i bukur, me verëra shqiptare të shkëlqyera, me muzikën që shpresoj se do të jetë në një nivel me shijen me të cilën është krijuar kjo hapësire këtu, me miq kaq të mirë përreth, janë më se të mjaftueshme për të vazhduar këtë mbrëmje të bukur. Nisi bukur dhe përvoja tregon se këto lloj mbrëmjesh tradicionale të fund vitit nisin bukur dhe përfundojnë edhe më bukur. Ju faleminderit të gjithëve dhe nëse mund ta marr sërish gotën, dua të ngre një dolli, së pari për familjet tuaja, sepse në fund të fundit, janë ato që paguajnë koston për të gjithë punën tuaj jashtë shtëpisë edhe për jetën tuaj mjaft argëtuese në politikën shqiptare jashtë shtëpisë dhe për gjithë sa iu duhet të bëjnë gjatë tërë kohës që ata në shtëpi ju presin. Dua po kështu, të them të njëjtën gjë për familjet e kolegëve të mi këtu, të cilët kanë një detyrë edhe më të vështirë, sepse jo vetëm iu duhet të na presin që të kthehemi në shtëpi, po edhe iu duhet të dëgjojnë gjëra të tmerrshme për ne gjatë ditës.
Në mbyllje të dollisë për të gjitha familjet tuaja, dua t’i shtoj dollisë edhe familjen time dhe për gjysmën time më të mirë. Ajo sa vjen e bëhet më e mirë, unë sa vij e përkeqësohem, po ja që kështu është. Gëzuar pra, për familjet tuaja, për fëmijët tuaj, për të dashurit tuaj dhe iu uroj atyre, bashkë me ju natyrisht, së pari një Vit të Ri me shëndet, së dyti një Vit të Ri të gëzuar dhe së treti, një Vit të Ri shumë të suksesshëm.