Detaje të reja janë zbuluar nga përgjimet për shitjen e votave që çuan në arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.
Bashkëpunëtori i drejtësisë që ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet, gjatë marrjes së parave ka bërë diskutim me ndihmësin e Belerit. Pasi është rënë dakord për 400 mijë lekë të vjetra për tetë persona, ai i ka thënë se ka gjetur edhe një votues të nëntë për të cilin ka kërkuar para.
Ndihmësi i Belerit nuk pranon për të dhënë para për votuesin e nëntë duke thënë “vetëm kaq sa kemi folur se me atë e kemi rregulluar vetë”.
Në fakt thonë burimet e Anila Hoxhës, bashkëpunëtori i drejtësisë nuk ka folur me asnjëri nga tetë emrat që ju treguan në një nga takimet Fredi Belerit.
Dhe gjatë takimit ku ai u vonua si taktikë hetimore nga prokuroria dhe policia e Vlorës, në kohën që bashkëpuntori vonohet pak minuta, ndihmësi telefonon Belerin. Ky i fundit i kërkon të presë.