Nga Redaksia
Një fundjavë me diell mjafton që rruga drejt Parkut Kombëtar të Dajtit të kthehet në një makth për qindra qytetarë të Tiranës. Një rrugë e ngushtë malore, dikur shteg për automjete ushtarake, sot është arteria e vetme për qindra mijëra vizitorë që synojnë ajrin e pastër dhe panoramën mbi kryeqytet, por që përfundojnë të bllokuar për orë të tëra në radhë të gjata.
“U nisëm për pak qetësi, por gjetëm stresin e qytetit në mes të malit”, thotë një qytetar i ri që kishte marrë familjen për një piknik. “Paguam dy mijë lekë për të kaluar në një rrugë që s’ka ndryshuar që nga vitet ’90. Asnjë sinjalistikë, asnjë zgjerim, asnjë kujdes.”


Një rrugë e ngushtë për një mal të madh
Segmenti rrugor që duhet të përshkosh me makinë nga hyrja në park deri tek fusha është vetëm 1.8 metra e gjerë, me kthesa të mprehta dhe pa asnjë hapësirë për devijim. Në thelb, është një shteg i vjetër që dikur përdoresh nga disa automjete ushtarake në ditë. Sot, në fundjavë, mbi të kalojnë qindra makina private, mikrobusë me turistë dhe motorë që përplasen me realitetin e rrugës së harruar.
Në 30 vite, në këtë rrugë nuk është bërë asnjë investim serioz për zgjerim, asfaltimin e saj apo vendosje ndriçimi. Vetëm ndonjë tabelë tek tuk dhe një taksë hyrjeje prej 500 lekë të vjetra për çdo person dhe 1 000 lekë për automjet.
“Ku shkojnë ato lekë?” – pyesin qytetarët. Një pyetje që mbetet pa përgjigje. Rruga është nën administrimin e Bashkisë Tiranë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, por asnjëra palë nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e mirëmbajtjes.
Edhe pse bërtitet me të madhe nga qeveria se ka një “rritje të turizmit malor” dhe “zhvillim të destinacioneve natyrore pranë kryeqytetit”, pamja në Dajt tregon të kundërtën: një infrastrukturë e rrënuar, pa menaxhim të fluksit, pa parkingje dhe pa orientim për vizitorët.


“Është e pafalshme që një destinacion kaq afër Tiranës, me kaq shumë potencial, të trajtohet si rrugicë fshati,” thotë një turist.
Edhe pse në hyrje të rrugës paguhet taksa për çdo person apo automjet, nuk ka asnjë shenjë se ato para rikthehen në formën e ndonjë investimi.
As një gropë nuk është mbushur,” thotë një drejtues automjeti që udhëton çdo fundjavë drejt Dajtit. “Nëse do t’i përdornin vërtet për rrugën, ajo sot do ishte shembull për turizmin e Tiranës.”
Dajti është mushkëria e kryeqytetit. Por rruga drejt tij është bërë plagë e hapur për banorët dhe vizitorët.
Cdo fundjavë përsëritet e njëjta skenë: një mal që të pret me bukuri, dhe një rrugë që i pret vizitorët me kaos.
Mbase do të duhen edhe 30 vite të tjera që rruga e Dajtit të bëhet e denjë për qytetin që e ka nën këmbë./kohajuaj
