Vjosa Limani-

Sot, Florian Binaj hyn në garën për kreun e Bashkisë së Tiranës si përfaqësues i opozitës, duke u pozicionuar si zëri kritik i qytetarëve kundër korrupsionit dhe keqmenaxhimit të institucioneve. Një figurë publike e njohur, një emër i dashur për publikun falë humorit në ekran. Por politika shqiptare nuk ka nevojë për emra të njohur – ka nevojë për figura të pastra.

Pamjet e së shkuarës flasin ndryshe: deri dje, Binaj shfaqej krah Erion Veliajt, ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, si një nga mbështetësit e tij në spektaklet që organizoheshin për shtresat më vulnerabël të qytetit – pensionistët – duke i “mëshiruar” me ndonjë pjatë supë të ngrohtë. Dhe për t’i bërë më të shikueshëm për publikun, ato spektakle kishin nevojë për doza humori, që Flori në atë kohë nuk i kursente.

Pra, Binaj nuk erdhi në politikë nga hiçi. Ai ka qenë në krah të Veliajt, duke e mbështetur dhe legjitimuar në sytë e publikut. Ai e ka gëlltitur me dëshirë lugën e çorbës së prishur të pushtetit dhe sot përpiqet ta vjellë përpara opozitës, sikur e kaluara të mos ekzistonte.

Por problemi nuk mbaron me Veliajn. Binaj sot paguhet në ekranin e Sali Berishës, duke hyrë kështu në një tjetër kuzhinë ku “çorbat e prishura” kanë qenë përbërësit kryesorë të menysë që i është servirur këtij populli prej më shumë se 30 vite.

Nga një lugë e prishur tek një tjetër – ky nuk është pastrim i politikës, është thjesht riciklim i saj.

Kjo është ajo që ndodh në të ashtuquajturin tranzicion shqiptar: njerëz që gëlltisin një lugë çorbe të prishur sot dhe që nesër përpiqen ta vjellin publikisht, por asnjëherë nuk përpiqen të ndryshojnë menunë.

Binaj nuk është përjashtim; është ilustrimi më i qartë se si opozita e sotme nuk arrin të prodhojë dot figura të reja, por sjell në tavolinë të njëjtën çorbë të servirur më parë nga pushteti.

Prandaj Florian Binaj nuk është zgjidhje. Ai është thjesht një simptomë e sëmundjes së gjatë që quhet tranzicion.

Dhe qytetarët e Tiranës, të lodhur nga kjo dietë e pafundme me çorba të prishura, kanë nevojë për një tryezë të re – jo për aktorë që ndërrojnë rolet, por për politikanë që ndërrojnë recetat./ kohajuaj