Nga Annie Ernaux/ Përgjatë bregdetit të Sfaksit në Tunizi, në plazhin e një prej ishujve të arkipelagut Kerkenah, më 24 dhjetor të vitit të shkuar u gjet një vajzë thuajse tre vjeç. E mbytur. Mbante veshur një xhup dhe çorape rozë. Ndryshe nga i vogli Alan, bashkëmoshatari sirian që në shtator të vitit 2015 u gjet i shtrirë në një plazh turk, veshur me bluzë të kuqe dhe pantallona të shkurtra blu, fotografia e të cilit bëri xhiron e botës dhe shkaktoi emocione të pafundme, vajza e Sfaksit mbeti anonime, si shumë prej atyre që ikin, fëmijë të rritur, familje të tëra. Asnjë nuk foli për të në shtypin francez deri sa u botua një artikull në shkurt të këtij viti, në faqen online të një gazete, shkruar nga reporterja Nejma Brahim.

Nuk e di nëse gazetat tuniziane, apo ato në përgjithësi europiane, e kanë raportuar këtë gjetje, por ndoshta jo ato tuniziane, pasi është bërë e zakonshme tanimë që peshkatarët të gjejnë dhe nxjerrin trupa të pajetë nga rrjetat e tyre.

Për më tepër, Garda Kombëtare nuk shfaqet më as kur emigrantët e mbytur janë me ngjyrë. Vajza me ngjyrë nga Sfaksi, e gjetur pa jetë në një plazh, nuk bëri as lajm nëpër gazeta, kurse një mace e shtypur nga një tren TGV në stacionin Montparnasse në Paris më 23 janar të këtij viti, pushtoi për një kohë të gjatë faqet e “Le Figaro”.

Vetëm vdekja kolektive e emigrantëve raportohet ende në media – por deri kur? – mes indiferencës së përgjithshme.

Kur m’u kërkua të flisja për terrorin e lirive, mendja më shkoi te vajza e Sfaksit. Më shkoi mendja te ky parim i lirisë, i trupëzuar në nene të ndryshme të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe në Francë, në ballinën e ndërtesave publike, i cili mbetet një parim që ndalet në kufij. Jo për të gjithë dhe jo për gjithçka.

Meqenëse mallrat qarkullojnë lirshëm nga një kontinent në tjetrin, duket se liria është mbi të gjitha ajo e sendeve dhe e parave. Njerëzit nuk janë aq me fat, veçanërisht kur janë të varfër dhe me ngjyrë, sepse ekziston mbizotërimi, jo i pranuar, por efektivisht i qenësishëm, i racave. Afrikanët subaharianë, të cilët për shekuj janë trajtuar si mallra, nuk e kanë më atë status në lundrën e tyre që po fundoset: ngrehinat tregtare nuk kthehen për t’i shpëtuar. Europa është shndërruar në kështjellë dhe ishulli Lampedusa, në hyrje të saj, një kamp i madh burgimi, në heshtjen e kombeve të tjera.

Çnjerëzorja nis me heshtjen. Aktualisht në Europë rrezikohemi nga mungesa e humanitetit. Popullsia, gjithnjë e më shumë, është e mbështjellë nga një hije gjigante dhe pa formë, si aureolë që valëzohet nga shumë anë, e cila ka depërtuar në çdo gjë. Mund të përmblidhet me një fjalë: imigrim.

A ka ardhur koha, para se të jetë tepër vonë, ta kuptojmë se kjo hije nuk ekziston? Përpara se policia të arrestojë emigrantët – oh, por tashmë e bën! – përpara se të arrestojë ata që u vijnë në ndihmë? Gjithmonë ka pasur migrime ekonomike dhe intelektuale. Normanët, prej nga vij unë, shkuan në Siçili. Sot, një e katërta e popullsisë franceze përbëhet nga emigrantë ose me origjinë emigrante.

Larg nga varfërimi i vendit pritës, burrat dhe gratë, më pas edhe fëmijët, janë pjesë e krijimit e pasurisë. Shoqatat dhe vullnetarët që kërkojnë të ndihmojnë emigrantët e dinë se ata kanë një forcë të brendshme dhe një vizion njerëzor, pa të cilin vendet europiane do të ishin të mangëta.

Në verën e vitit 2016, me rastin e përkujtimit të “Manifesto Ventotene”, i konsideruar si themeli i federalizmit europian, një gazetë italiane më propozoi të shkruaja diçka. Ashtu si edhe sot, nuk mund të mos flisja për zhdukjen e qindra emigrantëve në Mesdhe.

Por kishte edhe një statistikë: prej fillimit të atij viti, 68 gra kishin vdekur në Francë, të vrara nga partnerët e tyre, pa bërë lajm, por thjesht njoftime telegrafike. Mes dy fakteve, shtrihej një indiferencë e përbashkët, një heshtje që do të thotë, në mos normalitet, të paktën përshtatje me situatat e patolerueshme.

Shtatë vjet më vonë, vlerësimi im është i ndryshëm. Gratë e kanë thyer heshtjen. Nëse sot kërkoj territore lirie, i gjej në fjalët e grave. Një zë që është ngritur në mbarë botën, si kurrë më parë në histori, kundër dhunës seksuale nga meshkujt, por edhe kundër të gjitha formave të dominimit politik dhe fetar.

E padrejta u denoncua si e patolerueshme. Në Iran, nën diktaturën e mullahëve, tre fjalë lulëzuan: GRUA, JETË, LIRI; dhe burrat u bashkuan me gratë në të njëjtën luftë, shtypja e së cilës nga autoritetet nuk do të thotë se i ka ardhur fundi. Sepse ky revolucion i ri feminist është i destinuar të pushtojë të gjitha vendet përmes rrjeteve sociale dhe të vërë në dyshim themelet patriarkale të kësaj shoqërie të krijuar, siç shkruante Simone de Beauvoir 70 vjet më parë, nga burrat dhe për burrat. Dhe, urgjentisht, të shpiket një botë në të cilën vajzat dhe djemtë nuk vdesin më në brigjet e Sfaksit.

*Annie Ernaux është fituesja e çmimit “Nobel” për letërsinë në vitin 2022. Më parë është nderuar me çmime të rëndësishme si “Çmimi i Gjuhës Frënge”, “Çmimi Europian Strega”, “Çmimi Marguerite Yourcenar” në vitin 2017 apo “Çmimi Formentor”. Në shqip janë botuar romanet “Kujtime vajze”, “Pasion i thjeshtë”, “Vendi i Babait” dhe “Vitet”.
Ky shkrim u përkthye nga Erjon Uka.