Ky është një zhvillim që krijon kushte që kafeja të bëhet edhe më e “hidhët” për shkak të rritjes së çmimeve dhe për konsumatorin fundor. T
Me 40% rritja vjetore
Krahas varietetit Arabica që cilësohet si cilësia më e lartë, ditët e fundit rritje është shënuar edhe në çmimet ndërkombëtare të varietetit më të lirë Robusta që përdoret kryesisht për prodhimin e kafeve të çastit. Vetëm këtë vit rritja e çmimeve ndërkombëtare të kafesë vlerësohet të kalojë 40%.
Çmimet rriten, cilësitë bien
Çmimet e larta të kafesë krijojnë gjithashtu kushte për një rritje të falsifikimit me varietetet me cilësi më të ulët që shiten si kafe me cilësi më të lartë. Konsumimi i lartë i pijes lë shumë hapësirë për këtë pasi në nivel ndërkombëtar vetëm vitin e kaluar janë prodhuar gati 170 milionë qese kafeje. Një mesatare prej afro 2.7 milionë tonë metrikë kafe prodhohet çdo vit vetëm në Brazil.
Arsyet e rritjes së çmimit
Rritja e çmimit të kafesë në nivelet më të larta në 13 vitet e fundit i atribuohet një sërë faktorësh gjeopolitikë, klimatikë, ekonomikë dhe të tjerë:
Mungesa e varietetit më të lirë të kafesë, Robusta, ka bërë që më shumë tregtarë të kërkojnë varietete Arabica, duke rritur kërkesën.
Rritja e madhe e çmimeve të kafesë u shkaktua nga shqetësimet gjithnjë në rritje për prodhimin në Brazil, prodhuesi më i madh në botë. Vendi aktualisht po përfundon të korrat 2024-2025 dhe perspektivat e tij të prodhimit janë dobësuar pas nxehtësisë së zgjatur dhe thatësirës që goditi prodhuesit. Vendi po përballet me thatësirën më të madhe në dekada, duke shkaktuar probleme të mëdha ndër të tjera në prodhimin bujqësor.
Industria e kafesë është goditur nga bllokimi i porteve në shumë vende, mungesa globale e kontejnerëve, ndërprerjet e transportit në Detin e Kuq për shkak të sulmeve Houthi.
Prodhimi ka rënë edhe në vende të tjera si Vietnami për shkak të kushteve klimatike.
Prodhuesit dhe tregtarët me shumicë që shohin rritje të çmimeve po mbajnë disa sasi kokrra kafeje jashtë tregut me shpresën se do të shiten edhe më shumë. Kjo u regjistrua për herë të parë me varietetet Robusta majin e kaluar kur çmimet specifike kishin arritur sërish majat.
Implikime negative për inflacionin
Kafeja më e shtrenjtë rrit inflacionin në të gjithë spektrin e pijeve dhe në fund të fundit të ushqimit. Në rritjen e çmimeve kanë ndikuar edhe rritja e çmimeve të kakaos dhe lëngut të portokallit. Kjo e bën më të vështirë punën e bankave qendrore në përcaktimin e politikës monetare./kohajuaj