Anketa e fundit e publikuar nga “Barometri i Ballkanit 2024”, mbi pritshmëritë e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në Bashkimin Europian nxjerr në pah disa të dhëna interesante, sidomos për Shqipërinë. Shqiptarët duket se kanë një qasje të ngjashme krahasuar me fqinjët e tyre kur bëhet fjalë për përfitimet e mundshme të anëtarësimit në BE.
Konkretisht, në Shqipëri, 58% e të anketuarve shpresojnë që anëtarësimi në BE të sjellë investime të reja dhe rritje ekonomike në vend. 32% e tyre presin që t’u ofrojë liri në lëvizje. Liria për të udhëtuar përtej kufijve dhe për të eksploruar tregjet e reja të punës është një prej motiveve kryesore që i shtyn ata të mbështesin këtë proces.
Po ashtu, 43% e qytetarëve shqiptarë e shohin BE-në si një mundësi për të studiuar dhe punuar në vendet anëtare, duke nxitur kështu aspiratat për një të ardhme më të mirë akademike dhe profesionale.
“Scan Intel” ka analizuar shifrat edhe për pritshmëritë e qytetarëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave, në Kosovë, pritshmëritë për 24% të qytetarëve lidhen me lirinë për të udhëtuar, ndërsa në Bosnje Hercegovinë dhe Serbi, qytetarët kanë pritshmëri të ngjashme me ato të shqiptarëve për sa i përket përmirësimeve ekonomike.
Interesant është fakti që në Malin e Zi, vetëm 21% e qytetarëve e përmendin lirinë e lëvizjes, ndërsa përqindja më e lartë e interesit për prosperitet ekonomik është në Serbi me 36%.
Një tjetër aspekt që bie në sy është pritshmëria për stabilitet politik dhe paqe, që për Shqipërinë është më pak e theksuar (vetëm 16%). Në përfundim, konkludojmë se shqiptarët e shohin anëtarësimin në BE si një rrugë për një jetë më të mirë, me theks të veçantë në lirinë e lëvizjes, studimin dhe prosperitetin ekonomik.