Skena të një “lufte civile” vijnë nga zemra e Los Anxhelosit. Madje zyrtarët e kanë shpallur qendrën e kryeqytetit të Kalifornisë, “një zonë të paligjshme për grumbullime”.

Për disa ditë me radhë Los Anxhelos është bërë epiqendër e manifestimeve pro emigracionit, gjë e cila ka nxitur një reagim të ashpër nga autoritetet. Policia amerikane ka përdorur bomba shokuese, plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

CNN raporton për disa të lënduar nga ndërhyrja e forcave të rendit, ndërsa BBC thekson se një fotoreporter britanik iu nënshtrua një ndërhyrje mjekësore pasi mori një dëmtim të rëndë nga plumbi i gomës. Protestuesit kanë reaguar po me dhunë ndaj ndërhyrjes së policisë, duke djegur makina, thyer xhama dyqanesh dhe shkatërruar disa pjesë të pronës publike.

Kjo gjë solli dhe arrestimin e dhjetra prej tyre. Rreth 300 ushtarë të Gardës Kombëtare Amerikane kanë zbritur në terren, pasi presidenti Donald Trump i urdhëroi ata të angazhoheshin për të mbrojtur personelin dhe pronën federale.

“Do ta ndjekim me shumë kujdes. Ata pështyjnë mbi njerëzit. Kjo është gjëja e tyre e re. Ata pështyjnë. Dhe më keq akoma, e dini çfarë hedhin mbi ta, apo jo? Dhe kur kjo ndodh, kam një deklaratë të vogël – ata thonë, ata pështyjnë, ne qëllojmë. Po u them atyre, askush nuk do të pështyjë mbi oficerët tanë të policisë. Askush nuk do të pështyjë mbi ushtrinë tonë”, tha presidenti Trump.

Kjo është hera e parë që një president amerikan angazhon Gardën Kombëtare pa një kërkesë apo lejimin nga një shtet i caktuar në dekada. Trump gjithashtu është gati për të dërguar në Los Anxhelos 500 marinsa.

Guvernatori i Kalifornisë thotë se shteti i tij do të ngrejë një padi kundër administratës Trump për këtë urdhëra të pamiratuara. Kryebashkiakja e Los Anxhelos, Karen Bass, e fajëson vetë presidentin për të gjitha trazirat.

“Ajo që po shohim në Los Angeles është kaos i shkaktuar nga administrata Trump. Njerëzit duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar, kjo është e drejta e tyre e amendamentit të parë. Por njerëzit duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë edhe në mënyrë paqësore. Ne nuk duam të jemi një vegël në duart e administratës.

Kur bastis Home Depot dhe vendet e punës, kur i ndan prindërit dhe fëmijët, dhe kur kalon karvanë të blinduar nëpër rrugët tona, shkakton frikë dhe shkakton panik. Dhe vendosja e trupave federale është një përshkallëzim i rrezikshëm”, shprehet Karen Bass.

Kaosi nisi pasi zyrtarët e agjencisë për emigracionin ndaluan disa persona dhe pas një thashethemi për operacione masive deportimi në një dyqan.