Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann ka treguar për “Wake Up” se përmes programeve të ndryshme si për shembull “BE-ja për novacione’, po krijohen mundësi për angazhimin e shqiptarëve në fusha të ndryshme, si agrobiznes, teknologji informacioni etj, në mënyrë që ata të mos emigrojnë.
Sipas saj, BE së bashku me qeverinë, po bashkëpunojnë që të krijojnë mundësi të ndryshme pune për të mbajtur shqiptarët në Shqipëri.
” Kjo ka të bëjë shumë me krijimin e mundësive. Nuk ka asnjë gjë të keqe që t’i të riaftësohesh ose të marrësh aftësi të tjera, por ajo që të bën të kthehesh në vend, është që t’i ta dish që ke mundësi. Për këtë duhet të punojmë që të bëhen të gjitha reformat e duhura, në fushën ekonomike, në legjislacion në vend, që të krijohen më shumë biznese të suksesshme, të cilat të krijojnë vende pune dhe për këtë na duhet të modernizojmë arsimin.
Arsimi profesional është shumë i rëndësishëm, jo të gjithë duhet të shkojnë në universitet, por mund të mësosh një profesion. Në qoftë se ne kemi vetëm inxhinier, por nuk kemi bukëpjekës, atëherë, kjo nuk na ndihmon. Pra ne duhet të krijojmë mundësi edhe për këto profesione t’i vlerësojmë ato. Edhe për ato profesione që ekzistojnë dhe duhen promovuar. Pra kemi një punë për të bërë së bashku, por e bëjmë me anën e programeve të ndryshme.
Për shembull ne mbështesim me anë të programeve të ndryshme, për shembull ne mbështesim me anën e programit ‘BE-ja për novacione’. Cila është ideja jote novatore dhe ne të ndihmojmë ty që ta bësh atë realitet. Kemi patur fazën e parë dhe ka qenë shumë e suksesshme.
Kur të jemi sot në Malin e Dajtit dhe të festojmë, kemi 4 përfitues të këtij programi të cilët do na shpjegojnë agrobiznesin e tyre, ose teknologjinë e informacionit, ose mbrojtjen e natyrës dhe e mjedisit. Pra ka shumë mundësi, por ne duhet t’i krijojmë këto mundësi dhe kjo është një përpjekje e përbashkët”, tha Hohmann.