Departamenti Amerikan i Shtetit ka dërguar një tjetër mesazh autoriteteve shqiptare në lidhje me rastin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri, i cili mbetet në paraburgim.
Sipas Departamentit të Shtetit, qeveria amerikane pret që çështja të ndiqet sipas legjislacionit shqiptar.
Në përgjigje të një pyetjeje të korrespondentëve grekë në Uashington, një përfaqësues i DASH-it theksoi se “ne jemi në dijeni të rastit (të ndalimit të Fredi Belerit) dhe presim që autoritetet shqiptare të ndjekin një proces të rregullt sipas ligjeve të vendit”.
Beleri mbahet në burg që prej 12 majit të këtij viti pasi u arrestua për blerjen e votave në prag të zgjedhjeve lokale të 14 Majit.
Beleri akuzohet se u ka dhënë 40 mijë lekë të reja 8 qytetarëve për te votuar në favor të tij gjatë zgjedhjeve lokale.
Mbajtja e tij në burg ka sjellë një përplasje me Athinën zyrtare e cila e akuzon qeverinë shqiptare se po e mban në qeli politikisht Fredi Belerin për të mos i lejuar betimin si kryebashkiak.