Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka zbardhur detaje nga takimi me ambasadoret e BE-së dhe SHBA-së.

“Në KQZ sot me ambasadoren e BE, Christiane Hohmann dhe ambasadoren e SHBA Yuri Kim, trajtuam përgatitjet për Zgjedhjet Lokale të 14 Maj2023, keqpërdorimin e burimeve shtetërore për fushatën, ndodhjen e blerjes së votave, transparencën e financimit të zgjedhjeve dhe integritetin e kandidatëve.

Ambasadorët Hohmann dhe Kim theksuan se zgjedhjet e 14 majit janë një test i vërtetë për avancimin e demokracisë shqiptare dhe se të gjithë sytë e partnerëve ndërkombëtarë janë drejt tyre.

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kjo periudhë parazgjedhore e vitit 2023 tregon dyfishim të raportimit të subjekteve shtetërore në KQZ, ndalim të rreth 20 ngjarjeve publike dhe trefishin e numrit të sanksioneve të KQZ-së.

I sigurova ambasadorët Kim & Hohmann se KQZ do të mbetet etikisht e paanshme dhe do të funksionojë vetëm në përputhje me ligjin. I shpreha mirënjohjen time ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-së për mbështetjen e tyre të fortë dhe të vazhdueshme ndaj KQZ.” shkruan Celibashi.