“Nuk kam ndërmend të flas” me Vladimir Putin, tha kryeministri britanik Keir Starmer, sot të dielën 17 shtator, dy ditë pas telefonatës së kancelarit gjerman Olaf Scholz me presidentin rus, e cila shkaktoi reagime të forta në Perëndim.

“I takon kancelarit Soltz të vendosë se me kë do të flasë. Unë, nuk kam ndërmend të flas me Putinin”, tha Starmer, duke folur me gazetarët gjatë rrugës për në samitin e G20 që fillon nesër të hënën në Brazil.

“Ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të forcuar mbështetjen tonë për Ukrainën”, shtoi kryeministri britanik. Kjo çështje është “në krye” të agjendës së tij për G20, ku marrin pjesë liderët më të mëdhenj të botës, por jo Putini.

E marta e ardhshme do të shënojë ditën e mijë të luftës në Ukrainë, tha Starmer. “Kjo përfaqëson 1000 ditë agresioni rus, 1000 ditë sakrificë për popullin ukrainas dhe, së fundmi, ne kemi parë trupat e Koresë së Veriut duke punuar me rusët,” vazhdoi ai. “Kjo tregon dëshpërimin e Rusisë, por ka implikime serioze për sigurinë evropiane (…) dhe për sigurinë e Indo-Paqësorit,” shtoi ai.

“Ne duhet të ofrojmë mbështetje të plotë (në Kiev) për aq kohë sa është e nevojshme,” shtoi lideri laburist.