Në Britani, konservatorët premtojnë se do të rikthejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Plani në fjalë duket më shumë një përpjekje për të fituar votat që po shkojnë drejt Reformimit të Britanisë së Madhe dhe parashikon që çdo 18-vjeçar do të duhej të kalojë një periudhë kohe në ushtri ose një fundjavë në muaj si vullnetar i “rezistencës civile”.
Konservatorët thonë se vendi duhet të jetë “i hapur dhe i ndershëm” në lidhje me sfidat afatgjata me të cilat po përballet dhe skema në fjalë do t’u japë të rinjve “mundësitë që meritojnë”.
Plani shihet si një “model i ri i guximshëm i shërbimit kombëtar” për 18-vjeçarët që mund t’i bëjë ata të zgjedhin të kalojnë një fundjavë në muaj duke bërë vullnetarisht role të tilla si polici special, vullnetar RNLI ose përgjegjës i NHS. Kjo do t’u japë atyre “aftësi të botës reale, duke kontribuar për vendin dhe komunitetin e tyre“.
Një komision mbretëror duhet ngritur për të hartuar programin e ri të shërbimit kombëtar, i cili do të hapet për aplikime në shtator 2025.
Por laburistët e kritikuan idenë si një politikë tjetër pa kosto nga konservatorët.
Një program të ngjashëm e ka propozuar më parë edhe David Cameron në 2010, por ai nuk u realizua kurrë.
Kryeministri konservator, Rishi Sunak, është akuzuar për hipokrizi në skemën e tij. Në janar, Sunak e kritikoi shefin e shtabit të përgjithshëm, Sir Patrick Sanders, pas sugjerimit të tij se Mbretëria e Bashkuar mund të ketë nevojë për një ushtri qytetare për të luftuar Putinin. Zëdhënësi i kryeministrit tha në atë kohë se Sunak nuk ishte dakord me komentet e tij dhe këmbënguli se nuk do të kishte kthim në shërbimin kombëtar, i cili u shfuqizua në vitin 1960.