Protestuesve që kanë bllokuar rrethrrotullimet e Bradasheshit në Elbasan dhe Shkozetit në Durrës, policia është duke u bërë thirrje me megafon për të mos penguar lëvizjen e mjeteve, pasi përbën vepër penale.

“Ju kërkojmë shpërndarjen dhe lirimin e menjëhershëm nga rrethrrotullimi i Shkozetit. Në rast të kundërt ndaj jush do të merren këto masa: Do të kryhen veprimet procedurale për fillimin e ndjekjes penale sipas Kodit Penal për pjesëmarrje në grumbullime e tubime të paligjshme”, dëgjohet të thuhet me megafon nga një makinë policie në Durrës.

Sakaq në Elbasan, një nga drejtuesit lokalë të policisë me altoparlant iu drejtua turmës duke u kërkuar lirimin e rrugës.

“Të nderuar qytetarë, Policia e Shtetit bën thirrje: Bllokimi i rrugës është vepër penale, pengimi i qarkullimit të automjeteve. Neni 283 i Kodit Penal, dënohet deri në tre vite burg. Ju lutemi, hapeni rrugën. Policia e Shtetit ju bën thirrje, mos pengoni qarkullimin e automjeteve. Është vepër penale e dënueshme”, dëgjohet të thotë ai.

Por thirrja e policisë vetëm sa ka acaruar qytetarët, të cilët i janë kthyer me thirrjet “Ik, ik, ik”, apo “Kemi marrë leje”.

Kjo detyroi policinë që edhe njëherë të përsëriste thirrjen: “Veprimet tuaja janë të dënueshme. Neni 283 i Kodit Penal, po ju paralajmëroj për herë të fundit”.