GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve në lidhje me konfrontimin fizik mes deputetëve Bledion Nallbati dhe Vullnet Sinaj gjatë një seance parlamentare në tetor të vitit të kaluar.

Konfrontimi fizik mes deputetit Nallbati dhe kolegut të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, ndodhi në nisje të seancës plenare të datës 30 tetor 2023, teksa opozita po përpiqej të bllokonte punimet e parlamentit.

Teksa Sinaj ishte duke folur në lidhje me problematikat e zgjedhësve në zonë, deputeti Nallbati që ndodhej aty pranë shkoi dhe i fiku mikrofonin.

Ky incident bëri që dy deputetët të përfshiheshin në përplasje fizike. Ishte garda dhe kolegët e tjerë të parlamentit ata të cilët qetësuan situatën dhe ndaluan përshkallëzimin e konfliktit.

Më pas të dy deputetët iu drejtuan SPAK-ut me dy padi respektive kundrejt njëri-tjetrit, të cilat u pushuan sot me vendim të gjykatës.