Në faqen online të Agjencisë Kombëtare të Punësimit janë të shpallura 5.498 vende të lira pune. Bizneset kërkojnë punëtorë krahu në ndërtim, hidraulik, saldatorë, marangozë, mobilierë, shitës dhe profesione te tjera. “Më shumë kërkesa ka pasur këtë periudhë industria përpunuese, ndërtimi, teknologjia e informacionit. Kemi kaluar nga ato vendet e lira që ishin në kohën e korrikut, që ishin në sektorin e hoteleri-turizmit. Bizneset kërkojnë persona të kualifikuar në fushën ku ata duan të punësojnë, duan kryesisht të rinjtë

Më shumë oferta është në Tiranë, ku është edhe qyteti ku është shtrirë edhe numri më i madh i bizneseve, Durrësi, Shkodra. Edhe në qytete të tjera ka interes nga punëdhënësit”, tha Gertiola Çepani,përgjegjëse e shërbimit të punësimit në AKPA. Nga ana tjetër, në zyrat e punës janë afro 70 mijë punëkërkues të regjistruar, një shifër që mbetet thuajse e pandryshuar në krahasim me vjet. “Janë ata persona që e kanë të vështirë të gjejnë punë, janë në grupet vulnerabël që kanë më shumë vështirësi, kanë probleme ekonomike.

Është thuajse i njëjti trend. Janë personat që janë të interesuar dhe janë të gatshëm për të filluar punë. Pasi regjistrohen, ata mund të kenë nevojë për rritjen e aftësive të tyre profesionale, mund të kenë nevojë për një kurs professional, për mbështetje nga programet tona për nxitjen e punësimit ose ndërmjetësohen direkt te bizneset që kanë shpallur vende të lira pune”, shtoi Çepani për “Vizion Plus”.

Gjatë këtij viti, Agjencia Kombëtare ka punësuar me ndërmjetësim rreth 25 mijë punëkërkues, nga 70 mijë të tillë. Kjo shifër, në kushtet kur bizneset vuajnë për fuqi punëtore, tregon se kërkesa dhe oferta për vende pune nuk përputhen në tregun tonë për shkak të pagës dhe kushteve që ofrohen.