Botimi në gjuhën angleze i librit “Biri i Fotografit” solli sërish në kujtesë historinë e familjes Mandil e cila gjatë periudhës së Holokaustit u shpëtua nga familja Veseli në Shqipëri.

Megjithëse ngjarja zhvillohet në një nga periudhat më të errëta në historisë së njerëzimit, autorja e këtij libri, Maya Klinger e ka përshtatur këtë vepër edhe për fëmijë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës autorja thotë se qëllimi është që brezat e rinj të mësojnë nga e kaluara dhe që ngjarje si ajo e Luftës së Dytë Botërore të mos përsëriten në të ardhmen.

“Shqiptarët u zgjasin dorën të gjithë njerëzve që kërkojnë ndihmë, sikur të ishin pjesë e familjes së tyre, duke u dhënë ndihmën që u duhet. Këtu përfshihen rrobat, ushqimi dhe një vend për të qëndruar, derisa rreziku për ta të ketë kaluar. Ata duhet ta bëjnë këtë edhe nëse personi që kërkon ndihmë është i krishterë, apo hebre dhe jo një mysliman si ata”.

Kështu i përshkruan shqiptarët dhe traditën e besës, Gavra, protagonist i librit “Biri i Fotografit”, një vepër e bazuar në ngjarjen e vërtetë të familjes hebreje Mandil, e cila gjatë kohës së Holokaustit u shpëtua nga familja Veseli në Shqipëri.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, autorja nga Jeruzalemi që jeton në Shtetet e Bashkuara, Maya Klinger thotë se kjo vepër është një tregues se edhe në periudhat më të errëta të historisë, ka shpresë dhe njerëz me vullnet të mirë.

“Mendoj se pjesa më e rëndësishme e moralit të këtij libri është se disa njerëz nuk i shohin të tjerët si hebre, të krishterë apo myslimanë, por vetëm si njerëz, që kishin nevojë për ndihmë. Është historia e atyre që ndihmuan pa hezituar dhe pa bërë shumë pyetje. Kjo është ajo që unë dua të marrin lexuesit në librin tim”, thotë zonja Klinger.

Anëtarët e familjes Veseli strehuan fshehurazi familjan katër-anëtarëshe Mandil nga viti 1943 deri më 1944, periudhë kjo kur Shqipëria ishte nën pushtimin gjerman.

Ndonëse kanë kaluar vite, pasardhësit e këtyre dy familjeve vazhdojnë të ruajnë lidhjet midis tyre.

Kjo nuk është një histori e rrallë në Shqipëri.

“Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë ku pas përfundimit të luftës numri i hebrenjve ishte shumë herë më i lartë krahasuar me periudhën para luftës. Nëse para luftës në Shqipëri ndodheshin 200 deri 300 hebrenj, pas luftës atje ishin gati 2 mijë hebrenj. Njerëzit kanë shkuar atje nga ish-Jugosllavia, Greqia dhe vende tjera. Kjo tregon mikpritjen e shqiptarëve që mbrojtën hebrenjtë që ishin me ta”, thotë autorja Klinger.

75 shqiptarë janë në mesin e personave që nderohen nga shteti i Izraelit për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, por numri i atyre që kanë ndihmuar besohet se është më i lartë.

Refik Veseli është shqiptari i parë që është futur në këtë listë, më 1987.

Autorja Klinger thotë se ka marrë përsipër një mision që histori frymëzuese si ajo e familjes Mandil dhe Veseli të dokumentohen përmes veprave të tilla.

Roli i këtij misioni rritet çdo vit, thotë ajo, ndërsa numri i atyre që e kanë përjetuar Holokaustin pakësohet.

“Sepse brenda pak vitesh, nuk do të ketë mbetur më ndonjë prej tyre gjallë për t’i treguar këto histori vetë, por duhet që përmes veprave të tilla ta kujtojmë të kaluarën. Ky është një qëllim që i kam vënë vetes”, thotë ajo.

Libri i autores Klinger është përshtatur për fëmijë nga mosha 9 vjeçare.

Zonja Klinger thotë se kjo është mënyra e duhur që brezat e rinj të përgatiten për jetë.

“Nëse duam që fëmijët tanë të mësojnë mbi tema që janë të ndërlikuara, të frikshme dhe jo shumë tërheqëse, siç është Lufta e Dytë Botërore dhe Holokausti, duhet t’i ekspozojmë ata ndaj këtyre temave gradualisht, në mënyrë që të mos friksohen të hetojnë mbi këtë temë më vonë gjatë jetës. Nuk mund t’i mbrojmë fëmijët tanë duke mos i informuar rreth asaj që ka ndodhur në të kalurën. Ata duhet të dinë se si ishte jeta në të vërtetë. Ata duhet të mësojnë se edhe në kohët më të errëta, njerëzit ndihmojnë njerëzit”, thotë ajo.

Në të kundërtën historia mund të përsëritet, thotë zonja Klinger, ndërsa përmend luftën në Ukrainë si një shembull. Ajo thotë se situata në Evropë është e ngjashme me historinë e librit të saj.

“Njerëzit po largohen nga shtëpitë e tyre. Fëmijët po largohen nga shtëpitë në kërkim të një vendi më të sigurt. Qytetet evropiane po bombardohen. Kjo nuk është e kaluara, kjo është e tanishmja. Nuk mund t’i mbrojmë fëmijët tanë nga e tanishmja. Sa më shpejt që ata ta kuptojnë se ekziston e keqja, por edhe e mira, fëmijët do të kuptojnë se edhe ata mund të kryejnë një vepër të mirë, se ata mund të jenë ndryshimi edhe pse tani janë vetëm fëmijë. Ata mund të bëhen qytetarë më të mirë pasi të rriten”, thotë ajo.

Libri “Biri i fotografit” është shkruar fillimisht në gjuhën hebraike, ndërsa pak ditë më parë u prezantua para publikut varianti anglisht i tij.

Libri pritet të përkthehet edhe në gjuhën shqipe.