Presidenti Joe Biden i ka ridërguar Senatit kandidaturën e David J. Kostelancik për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Emërimi i diplomatit Kostelancik për postin e ambasadorit amerikan në Shqipëri u rikthye disa ditë më parë në Shtëpinë e Bardhë pasi Senati, gjatë sesionit që u mbyll në fund të vitit të kaluar, nuk futi në rend dite brenda afateve, votimin për konfirmimin e Kostelancik dhe të dhjetëra të emëruarve të tjerë.

Kandidatura e Kostelancik u kthye të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, në bazë të një klauzole të rregullave të Senatit sipas së cilës “emërimet që as nuk janë konfirmuar, as nuk janë hedhur poshtë nga Senati në kohën kur mbyllet sesioni legjislativ”, i kthehen presidentit.

“Nëse një emërim i kthehet presidentit, ai nuk mund të shqyrtohet më nga Senati. Presidenti mund të paraqesë një emërim të ri për të njëjtin kandidat, ose për një kandidat të ri”, thuhet në rregullat e Senatit.

Në rastet kur presidenti ridërgon të njejtën kandidaturë, procesi në Senat fillon nga e para, por komisioni përkatës që shqyrton kandidaturën ka kompetenca të gjera dhe mund ta thërrasë sërish për dëshmi ose jo. Në rastet që kanë ndodhur në të shkuarën, për shumicën e riemërimeve, komisionet nuk i rithërrasin kandidaturat për dëshmi.

Diplomati i karrierës Kostelancik, u emërua për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri në janar të vitit të kaluar. Ai dëshmoi për përparësitë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë në mars të vitit të kaluar. Në prill, Komisioni votoi pro konfirmimit të tij, por votimi i plotë i Senatit nuk u bë.