Në daljen e përnatshme nga dritarja e banesës së tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndaluar te vendimi i Gjykatës së Apelit që çoi pas hekurave ish-deputetin Ervin Salianji.

Duke ftuar shqiptarët në protestën e 7 tetorit, të cilën e emërtoi një betejë, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj se diktuan procesin gjyqësor për Salianjin, duke e burgosur sepse “sulmoi në zemër dy vëllazëritë më të rrezikshme të drogës”.

Ai pretendoi më tej në fjalën e tij se një fat i ngjashëm me Salianjin e pret edhe kreun e Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

“Qytetarë dhe qytetare, dua t’u informoj sonte se vëllazëria Rama dhe vëllazëria Xhafaj e festuan me shampanjë burgosjen e Ervin Salianjit. Por jo vetëm kaq, ua them ju këtu, e festuan me betim njëlloj si padrinot në shpellat e mafies se për tre muaj, të njëjtin fat do ketë edhe Gazment Bardhi”, deklaroi Berisha.

Sipas kreut të selisë blu, Rama dhe Xhafaj synojnë të burgosin Gazment Bardhin pasi ai mori guximin të denoncojë vëllain e kryeministrit, Olsi Rama dhe të kërkojë në SPAK rihetim për dosjen “Xibraka”.

“Sepse Gaz Bardhi, siç jeni ju në dijeni, e riktheu në skenë Olsin e Xibrakës, këtë kriminel trafikant, të pangopur, të cilin Edi Rama e përdor për punët e tij më të pista. Edhe ne jemi sonte këtu, do jemi në ora 18:00 me datën 7 tetor me betim solemn, se vëllazërinë Xhafaj dhe vëllazërinë Rama dhe çdo vëllazëri tjetër, me forcën e ligjit, me gërshërët e ligjit do t’i çojmë atje ku e meritojnë”, u shpreh Berisha.