Publicisti Ben Blushi ka rrëfyer takimin me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, në Tiranë
Ai shtoi se “Shqipëria nuk do ishte kurrë sot ajo që është, një vend normal që jeton në paqe, nëse Presidenti Clinton nuk do ndërhynte për të na hequr armët nga duart dhe për të na pajtuar”.
Reagimi i Blushit:
PËR ALKIMISTIN BILL CLINTON
Kisha kënaqësinë të takoja Presidentin Bill Clinton, gjatë darkës që u shtrua për nder të tij në Tiranë dhe atyre që më pyetën se cfarë ndjesie mora, ju thashë se mu duk sikur isha në tavolinë me një alkimist, që pasi kishte prekur me dorë gjithë gurët e botës kishte vendosur të tregonte historinë e vet të mrekullueshme.
Që kur popujt kanë filluar të ndjekin liderët e tyre në ekran, asnjë burrë shteti nuk ka qenë më i dashur dhe më i adhuruar se Presidenti Bill Clinton. Ai është përlotur, ka qarë, ka qeshur, është gëzuar, është hidhëruar dhe ka vuajtur njëlloj si gjithë qytetarët e botës duke i transmetuar emocionet e veta në shpirtrat e gjithëseicilit.
Si President, Bill Clinton ishte njëkohësisht i arsyeshëm dhe emocional. Ai merrte vendime të arsyshme nisur nga emocionet dhe kontrollonte emocionet përmes arsyes.
Në kohën e tij bota jetoi në paqe,sepse ai nuk bëri asnjë luftë të pamerituar.
Bill Clinton forcoi Amerikën duke reduktuar pabarazinë, zbuti Rusinë e plagosur nga humbja e Bashkimit Sovjetik dhe bashkoi Evropën e ndarë nga Lufta e Ftohtë që zgjati gjysëm shekulli.
Por ndoshta, asnjë President nuk ka bërë dot më shumë se Bill Clinton për shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë. Të parët i cliroi nga dhuna serbe, ndërsa të dytët, i ndihmoi të shpëtonin nga dhuna e shtetit dhe e njëri-tjetrit në vitin e mbrapshtë 1997, që nëse nuk do ishte për ShBA, ndoshta do kishte pasoja fatale.
Shqipëria nuk do ishte kurrë sot ajo që është, një vend normal që jeton në paqe, nëse Presidenti Clinton nuk do ndërhynte për të na hequr armët nga duart dhe për të na pajtuar.
Duke e parë se si fliste dhe qeshte në Tiranë, mendova se edhe tani që nuk është më President, ai po na bën një shërbim të madh. Si cdo alkimist që shndërron gurët, ai ka fuqi të shpërndajë optimizëm që është lënda kryesore për të ndryshuar botën tonë.
Optimizëm,Thats all you need,tha alkimisti Bill Clinton
Dhe ka të drejtë.