Sharon Stone, në moshën 67-vjeçare, ka rrëmbyer sërish vëmendjen e publikut me një set fotografik të guximshëm për kopertinën e një reviste të njohur.
Aktorja pozon topless, e veshur me një fustan transparent, e rrethuar nga modelë meshkuj, përfshirë edhe Gabriel Aubrey, ish-partneri i aktores Halle Berry, duke evokuar ikonografinë e famshme të filmit “Basic Instinct”.
Fotografitë u përhapën gjerësisht në rrjetet sociale, ku u vlerësuan për estetikën e tyre provokuese. Në njërën prej imazheve, Stone pozon me gjoksin zbuluar, ndërsa një grup burrash gjunjëzohen para saj në një skenografi që ngjall diskutime për fuqinë, seksualitetin dhe rolet gjinore. Në një tjetër imazh, ajo është ulur me këmbët paksa të hapura, duke kujtuar në mënyrë të qartë skenën e saj më të diskutuar nga filmi i vitit 1992.
Pavarësisht moshës, Sharon Stone vijon të sfidojë normat dhe pritshmëritë. Kohët e fundit, ajo denoncoi publikisht një ngjarje nga e kaluara, ku u nënshtrua pa miratim një operacion për zmadhimin e gjoksit. Për më tepër, ajo ka reflektuar mbi ndryshimet në industrinë e filmit, duke theksuar se skena e saj ikonike nga “Basic Instinct” sot duket e “butë”, në krahasim me qasjet bashkëkohore në kinematografi.
“Gratë tani shkruajnë, drejtojnë, prodhojnë dhe xhirojnë filma. Nuk jemi më të detyruara të mishërojmë fantazitë mashkullore, dhe as të gjykohemi në bazë të kënaqësisë që ua japim atyre,” tha Stone, duke reflektuar mbi fuqizimin e grave në industrinë e filmit.
Aktorja komentoi edhe mbi transformimet që ka pësuar peizazhi kinematografik gjatë tri dekadave të fundit: “Studiot tashmë investojnë vetëm në projekte të mëdha prej 200 milionë dollarësh. Mundësitë janë zvogëluar, por platformat e transmetimit kanë sjellë një frymë të re. Nuk e shoh këtë si diçka të keqe.”
