Komisioni Evropian mbështet Protokollin e nënshkruar me Shqipërinë për krijimin e qendrave të pritjes jashtë BE-së, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së mbi vendet e sigurta, ku mund të zhvillohen procedura të menjëhershme të dëbimit.

Këtë e konfirmoi sot komisioneri për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, gjatë një interviste për agjencinë ANSA, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me protokollin e nënshkruar nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama.

“Italia është një partner shumë i rëndësishëm për ne në çështjet e migracionit dhe kthimeve,” tha komisari i BE-së. “Mendoj se Italia po përpiqet të gjejë mënyra të reja për të siguruar që kthimet të ndodhin në të vërtetë, dhe është shumë pozitive të kemi qasje të reja.”

Në vitin 2026 pritet të hyjë në fuqi Plani i ri për Azilin dhe Migracionin, i cili mund t’u ofrojë qendrave të pritjes jashtë BE-së, si ato në Shqipëri, një kuadër juridik komunitar.

“Duhet të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje që funksionojnë në praktikë dhe tani po punoj për krijimin e një kuadri ligjor që do t’i ndihmojë 27 vendet anëtare të kryejnë kthimet në mënyrë efektive. Ndaj, e ndajmë plotësisht këtë objektiv,” theksoi komisioneri.

Qeveria e djathtë e Kryeministres Giorgia Meloni ka thënë se do të gjejë një mënyrë për të kapërcyer pengesën e fundit ligjore.

Pavarësisht gjithçkaje, marrëveshja po shihet si një model nga disa vende evropiane që dëshirojnë të ngrenë qendra për përpunimin jashtë kufijve të Bashkimit Europian, të kërkesave të azilkërkuesve.