Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Arben Ahmetajt do t’i shkojë parlamentit në seancën plenare të ditës së hënë.
Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, socialistët dhe demokratët janë dakordësuar për t’i dhënë autorizimin SPAK-ut, ndonëse demokratët kanë kërkuar që diçka e tillë të ndodhë në seancën e ditës së nesërme.
Në përfundim të mbledhjes, deputeti Ervin Salianji ka thënë se në dosjen e SPAK për Ahmetajn ka edhe emra të zyrtarëve të tjerë të lartë.
Më konkret ka qenë deputeti Gazmend Bardhi, i cili nuk ka ngurruar t’i përmendë emrat që dyshohen si të përfshirë në korrupsion.
“Disa nga emrat tashmë janë bërë publikë, disa nga emrat janë të kallëzuar prej nesh, në këtë aferë përmendet ish-ministri Damian Gjiknuri, Ermonela Felaj, ka të dhëna për dy ish kryebashkiakë, Fadil Nasufi dhe Baftjar Zeqo. Pse po veçohen çështjet nga SPAK? Këta kanë vepruar si një grup kriminal, koka e të cilit është Edi Rama”, tha Bardhi.
Deputeti Bardhi tha se do të përdorë një mundësi të fundit në mënyrë që kërkesa e SPAK të hyjë nesër në parlament, duke kërkuar që në mëngjes ndryshimin e rendit të ditës.
“Siç e mësuam, Këshilli me votë afro unanime vendosi t’i rekomandojë seancës plenare përmbushjen e kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit, arrestimit dhe kontrollit në banesën e Arben Ahmetajt. Ajo që ne u ndamë ishte dita kur duhet të shqyrtohet raporti. Kërkesa jonë ishte që të shqyrtohej nesër, ndërkohë që është vendosur të shqyrtohet të hënën. Nesër që në mëngjes do të depozitoj një kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës, në mënyrë që prokurorisë t’i hapet rruga menjëherë”, u shpreh deputeti Bardhi.