Banka e ShqipërisëNë raportin e aktivitetit kreditues, Banka e Shqipërisë parashikon një reduktim të interesit për kredi për banesa nga individët, ndikuar kjo nga kushtet e kufizuara në tavanet e kredive për pasuritë e paluajtshme.

Për ekspertët bankarë, një vendim i tillë mund të ndikojë lehtësisht, por pa luhatur trendin ndër vite të kreditimit.

“Edhe pse, pavarësisht rregullores së Bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e kredisë në pasuritë e patundshme, s’do të ndikojë, pasi kërkesa është e lartë për të investuar në Airbnb, turizëm, etj”, shprehet eksperti bankar, Artan Gjergji.

Nga ana tjetër, bizneset kanë mbajtur të lartë kërkesën për kredi, ndikuar nga nevojat e shtuara për financim në mbulimin e investimeve të planifikuara, treguesi i besimit të biznesit dhe të konsumatorit, si edhe ambienti i favorshëm i normave të interesit.

“Kemi një rritje të kreditimit në të njëjtën linjë me zhvillimin e sektorëve. Kanë prirje për t’u ekspozuar ndaj investimeve më të mëdha për t’i shërbyer kërkesës gjithnjë e në rritje në turizëm, agroindustri, etj. I përshtaten kërkesës, përmirësojnë kriteret dhe, në pamundësi me kapitalin e tyre, i drejtohen kredisë. Gjithashtu, ndryshimi i normës së interesit pritet t’i japë shtysë pozitive rritjes së kreditimit. Qëllimi i uljes së normës së interesit është rritja e ofertës monetare në lekë, ose thënë ndryshe, rritja e kredisë në lekë”, shton Gjergji.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në përmirësim kanë qenë edhe bilancet e bizneseve, të cilat shfaqën një kërkesë më të ulët në mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet në tremujorin e dytë të vitit. Për muajt pasardhës, për këtë sektor, Banka Qendrore parashikon një rritje të kreditimit për investime, nxitur edhe nga kërkesa në treg për më shumë mallra dhe shërbime.