Humbjet rekord të pasqyruara në bilancin e dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë si pjesë e raportit vjetor janë shkaktuar nga kursi i këmbimit si dhe rënia në vlerën aktuale e titujve të mbajtura nga Banka Qendrore.
Banka e Shqipërisë e mbylli vitin 2022 me humbje rekord prej 31.2 miliardë lekësh, përkundrejt humbjeve prej 1.9 miliardë lekësh të regjistruara në vitin 2021. Humbjet erdhën si pasojë e rritjes së shpejtë të interesave në tregun vendës dhe atë ndërkombëtar, gjë që ul vlerën aktuale të titujve të borxhit të mbajtura nga ky institucion financiar, si dhe nga ndryshimet në kursin e këmbimit, konkretisht, forcimit të konsiderueshëm të lekut përkundrejt euros dhe dollarit, monedhat në të cilat mbahet një pjesë e aseteve të bankës qendrore të vendit.
Bankat Qendrore në të gjithë botën kanë pësuar një ecuri të ngjashme gjatë vitit të kaluar duke u prekur nga të njëjtat fenomene. Banka Qendrore Evropiane mbylli vitin e kaluar me 1.6 miliardë euro humbje dhe bankat e tjera qendrore të vendeve anëtare kanë të njëjtën ecuri. Banka Qendrore e Zvicrës humbi 143 miliardë lekë, njoftoi NCBC.
Humbjet e Bankës Qendrore nuk janë domethënëse për ekonominë e gjerë pasi qëllimi i ekzistencës së këtyre bankave është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe jo nxjerrja e fitimeve. Në situata të zakonshme, Bankat Qendrore nxjerrin fitime, të cilat i transferojnë te buxheti i qeverisë në formën e dividentit. Gjithsesi, fakti që humbjet janë kaq të mëdha, do të thotë se dividentë të tillë në financat publike ka gjasa nuk do të derdhen për ca vite…/ Marrë nga Reporter.al/