Në një bilanc të bërë nga Banka Botërore thuhej se Ukrainës do t’i duhen 411 miliardë dollarë për rindërtim të shtetit. Këto vlerësime janë bërë një vit pas nisjes së luftës së Rusisë në territorin ukrainas.

Dokumenti, që është përpiluar nga Qeveria ukrainase, Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe Kombet e Bashkuara, parasheh që Kievi të kërkojë “14 miliardë dollarë për rindërtime kritike më 2023”. Për të përmbushur këto nevoja, Qeverisë ukrainase do t’i duhen 11 miliardë dollarë më shumë sesa që ka paraparë në buxhetin e vitit 2023. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndikuar në zhvendosjen e miliona njerëzve dhe me rritje globale të çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Infrastruktura e energjisë, strehimi, infrastruktura kritike, ekonomia dhe deminimi janë prioritetet tona kryesore këtë vit”, ka thënë kryeministri ukrainas, Denys Shmygal, përmes një deklarate.

Kryeministri Shmygal ka paralajmëruar se “shkalla e dëmeve dhe nevojat për rindërtime, nuk përfshijnë të dhënat për humbje të infrastrukturës, strehimit dhe bizneseve në territoret e pushtuara”. Ai ka thënë se kur forcat mbrojtëse t’i çlirojnë ato territore, autoritetet do të nisin punën dhe vlerësimet në to.

/Koha Juaj.com vjen si media që gazetarinë e konsideron mision, jo pasurim. NA NDIQNI SE NUK DO TË ZHGËNJEHENI/