Plot 28 vite nga ngjarjet e vitit 1997, drejtësia dënoi autorët e masakrës së Cërrikut, por, cila është historia e panjohur e bandave gjakatare të Elbasanit.

Nga trazirat e marsit, tek konfliktet lokale, si u themeluan bandat famëkeqe të Mandelës dhe Kateshit

Cilat janë ngjarjet e panjohura dhe krimet makabre që u mbuluan nga pluhuri i harresës.

A kishte influenca politike dhe çfarë ndodhi me mbetjet e bandave të 97-ës? Emisioni “Inside Story” zbulon si u formuan banda e ’97-tës dhe çfarë fshehin pas konflikteve të tyre të ashpra?

‘Për një gotë raki…’ – Zanafilla e hasmërisë së përgjakshme mes ‘Mandelave’ dhe ‘Bandës së  Cërrikut’

Arjan Toska, banor i lagjes “Beqir Dardha” në Elbasan, u largua nga qyteti pas një hasmërie të përgjakshme me bandën e “Mandelës”. Lufta mes tyre nisi në mënyrën më absurde: për një gotë raki! Ndoshta ujë…Një ngatërresë që u konsiderua cënim i burrërisë dhe autoritetit.

Në lokalin i njohur në vitin 1997 si lokali i “Sudes”, pasditen e 14 prillit të ’97-tës, futen Arjan Toska dhe Enver Peqini. Aty ndodhej Eduart Peqini, i njohur si “Mandela”, vëllai i tij Astrit Peqini, me pseudonimin “Pelo”, djali i tezes së tyre Dashamir Bisku, i njohur si Murrashi, dy persona nga Fieri dhe një vajzë.

“Këta kanë kryer krimet më të shumta në qytetin e elbasanit në atë periudhë, dhe të gjithë janë të dënuar ose kanë ndërruar jetë” u shpreh Alban Qafa, avokat.

“Ata kanë qenë persona të atij komuniteti perosnat që kishin mundësi të grupoheshin për të ruajtuar territorin e vet nga ngjarje të tjera”, u shpreh  Kreshnik Muftari, pedagog i drejtësisë

Arjani dhe Enveri, pasi përshëndesin njerëzit që ishin brenda, ulen në një tavolinë ku qëndronte i vetëm një i moshuar.

Në këtë moment kamarieri shkon në tavolinën e tyre dhe i jep një gotë me ujë të moshuarit, duke i thënë se e ke nga “Mandela”.

Duke menduar se po pinte raki, i moshuri ngriti dolli, por kur kuptoi se ishte ujë, ia hodhi kamarierit në fytyrë. Uji spërkati vajzën që ishte ulur “Mandela” me miqtë e tij.

Mandela e konsideroi aktin e plakut si të qëllimshëm dhe e nisi me ofendime. Kur kushëriri Enver Peqini i kërkoi të qetësohej, ai e ofendoi rëndë edhe atë. Arjan Toska ndërhyri duke i thënë Mandeles të ndalonte sharjet ndaj kushëririt.

Ka nisur grindja midis Eduart dhe Enver Peqinit, e në këtë kohë ka ndërhyrë Arjan Toska duke u thënë “Nuk ka lezet të ziheni se jeni djem xhaxhallarësh”.

Ndërhyrja e Toskës vetëm sa e shtoi tensionin. Situata degradoi në dhunë fizike mes dy grupeve që përdorën shishe dhe mjete të tjera.

Pasi dëgjon për sherrin, aty vjen edhe vëllai i vogël i “Mandelës”, Gazmend Peqini, i cili ishte ngjitur me lokalin duke luajtur bilardo.

Në këtë moment Eduart Peqini urdhëron “Murrashin”, që të shkojë të marrë armët për të vrarë Toskën dhe djalin e xhaxhait të tij.

Pas disa minutash “Mandela”, “Pelo”, dhe “Murrashi”, kthehen të armatosur dhe qëllojnë drejt Arjan Toskës dhe Enver Peqinit, të cilët iu kundërpërgjigjën me zjarr. Nga të shtënat mbeti i vrarë Gazmend Peqini, vëllai i “Mandelës”.

Arjani dhe Enveri pas ngjarjes, u larguan menjëherë nga lagja “Tabakane”, ku u rritën duke u fshehur në Cërrik…

“Në momentin që janë kryer nuk është zbuluar autori, por që ka raste që janë zbuluar pas 15 vitesh dhe tani ka procese të ngritura në gjykatat e posaçme ku autorët e këtyre veprave penale po përballen me drejtësinë”, u shpreh Saida Dollani, kryetare e Apelit të Gjykatës së Posaçme..

‘Mandela’ nuk kurseu as djalin e xhaxhait, pasi e vrau i dogji trupin në mes të qytetit

Dy javë pas vrasjes së Gazmend Peqinit, më 29 prill 1997, Eduart Peqini urdhëron “Murrashin” dhe vëllanë tjetër Vladimirin të niseshin drejt Cërrikut dhe të kryenin një atentat ndaj djalit të xhaxhait Enver Peqini. Mandela e konsideronte shkaktarin e tragjedisë dhe luftës mes bandave.

Ata i bënë pritë në Cërrik dhe qëlluan mbi të. U larguan duke besuar se e kishin vrarë, por ai mbijetoi dhe u dërgua në spitalin kirurgjik të Elbasanit për ndihmë mjekësore. “Mandela”, pasi mori vesh se shënjestra e tij ishte ende gjallë, organizoi një sulm të dytë: “Murrashi”, hyri në reanimacion dhe e ekzekutoi me automatik, Enver Peqinin

“Kanë pasur konflikt me kushurinj të parë të tyre. Pas ngjarjes, ku u sulmuan gardistët kanë qenë të vetmit që kanë hyrë në Cerrik dhe kanë bërë luftë me bandën e cerrikut, pikërisht në hyrje të cerrikut, ku janë ato dy pallatet e parë” u shpreh avokati Alban Qafa

“Po konflitket mes grupeve kriminale shpeshherë janë banale, nuk është se ka ndonjë arsye madhore sepse nëse janë arsye madhore , ato kanë kapacitetin ti zgjidhin. Arsyet banale pastaj, kush është më i forti, kush është më fodulli ose motive të tjera të ngjashme, padiskutim i marrim si provokim” u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog i Drejtësisë

Hakmarrja nuk u ndal këtu. I pakënaqur vetëm me vrasjen, Eduart Peqini urdhëroi që trupi i pajetë i kundërshtarit të tij të rrëmbehej nga morgu. Njerëz të “Mandelës”, zbatuan urdhërin e tij. Pasi tërhoqën trupin nga morgu dhe e transportuan drejt lagjes “Tabakane”. Furgoni me vikimën pritej nga vëllezërit Eduart, Astrit, Vladimir e Agron Peqini. Ata morën trupin e pajetë të Enverit, dhe çuan në vendin ku ishte vrarë vëllai i tyre Gazmendi.

Në një akt makabër, e spërkatën me benzinë dhe e dogjën tërësisht. Në këtë vënd, qëndroi për disa ditë kufoma e djegur e Enverit, duke dhënë një mesazh të qartë për armiqtë e “bandës së Mandelës” se të gjithë do kishin fundin e djalit të xhaxhait të tyre. Ata, nuk kursenin askënd…

‘Mos shtini, jemi gra…’, terrori i ‘Mandelës’ brenda banesës së armikut të përbetuar

28 vite më parë gratë e familjes Toska përjetuan një tmerr të paimagjinueshëm. Pas varrimit të vëllait, Gazmendit, i etur për hakmarrje, rreth orës 14:00 të 15 prillit, “Mandela”, së bashku me vëllanë e tij Astrit Peqini dhe “Murrashin”, shkojnë në banesën e Arjan Toskës. Të tre hapin zjarr për disa minuta, duke terrorizuar gratë dhe fëmijët që ndodheshin brenda saj.

“Ne 97 nuk e kishte problem askush të kryente një vepër penale për shkak të mungesë së autoritet të shtetit. Por personat që ishin të dënuar në vitet 90 dhe u liruan në 97 karkaterizoheshin nga një ashpërsi e jashtëzakonshme’ u shpreh Kreshnik Myftari.

“Fundi i këtyre ka qenë per te gjithë fund i hidhur nuk ka qenë se ka gëzuar njeri nga ai aktivitet i paligjshëm që kane kryer në atë periudhë. Përfundimin e kanë pasur kryesisht në burgje, varreza’ u shpreh avokati Alban Qafa

Pas breshërisë që derdhën drejt godinës, banda nuk u ndal. Ata u futën në banesë. Përpara u del bashkëshortja e Arjanit, Lirie Toska, e cila ju lut me fjalët: “Mos shtini, jemi të gjithë gra e fëmijë”. Eduart dhe Astrit Peqini, hapën zjarr, duke e plagosur atë në bark dhe këmbë. Nga ana tjetër, “Murrashi”, qëllon në drejtim të kunatës së Arjanit, Nexhmie Toskës, duke e plagosur në të dyja këmbët.

Pas këtij momenti, nëna e Arjanit, Shega Toska merr fëmijët e vegjël dhe ngjitet në katin e tretë të pallatit duke kërkuar ndihmë. Në këtë moment “Mandela”, “Pelo” dhe “Murrashi” i vunë flakën banesës, duke shkrumbuar çdo gjë brenda saj.

Pas këtij momenti, Eduart Peqini, përveç 4 vëllezërve të tij mblodhi pas vetes dhe shumë njerëz të afërt me të.

Ky grupim u quajt “Banda e Mandelës”, kurse pjestaret e grupit quheshin “Mandelat” Nga ana tjeter Arjan Toska, pasi u vendos në Cërrik u grupua dhe u organizua me persona të tjerë, duke formuar të ashtuquajturën “Banda e Cërrikut”

Nga torturat te vrasjet për shënjestër, seria brutale e bandave të Elbasanit

Pas kryerjes së ritualit të 40-tave të vëllait të tij Gazmendit, Eduart Peqini, mbledh rreth 15 anëtarë të grupit dhe vendos të niset drejt Cerrikut për të eliminuar Arjan Toskën.

Me të hyrë në Cërrik, grupi i Arjanit, pasi sheh se po vinin kundërshtarët, qëllojnë në drejtim të tyre. Për disa orë anëtarët e të dy grupeve për shkak edhe të errësirës kanë qëlluar kuturu. Nga përplasja me armë mbetën të vrarë dy anëtarë të grupit të “Mandelës”, mes të cilëve dhe nipi i Myzejen Peqinit, nënës së “Mandelës”.

Në orët e para të mëngjesit, grupi i Eduart Peqinit tërhiqet duke lënë pas viktimat. Arjan Toska, i mban si trofe trupat e lëna në shesh betejë  nga ‘banda e mandelës’ dhe refuzon kthimin e tyre,

Por, “Mandela” vihet në lëvizje dhe rrëmben njerkun e Toskës, Petrit Kumrian. Ai e mban në këtë banesë, e cila ishte shtëpia dhe baza e bandës së Eduart Peqinit. Kumria u torturua për ditë me radhë në bodrumin e banesës. Por, sërih Toska refuzoi kthimin e kufomave duke detyruar “Mandelën”, të eleminojë  njerkun e tij. Ai u dërgua në bregun e Shkumbinit nga Vladimir Peqini, Dashamir Bristi dhe tre persona të tjerë.

Ata hapën një gropë buzë lumit shkumbin ku e futën të gjallë. Më pas, qëlluan me kallashnikov duke e lënë të vdekur, e më pas e mbuluan trupin.

“Ka qenë një situat kaotike, ku shumë krime po ti mendosh sot janë të pallogjikshme, dhe këta brezi që kanë lindur pas ‘95 po ti dëgjojnë do na thonë nuk keni qenë njerëz që keni kryer këto veprime sepse është cdo gjë jashtë logjikës njerëzore’ u shpreh avokati Alban Qafa

Pas këtyre ngjarjeve “Banda e Mandelës”, u shndërrua në tmerrin e zonës. Grupi nisi grabitjet ndaj qytetarëve. Ata dilnin në një postbllok në unazën e qytetit dhe në një tjetër postbllok në zonën e “Mirakës”, pranë tynelit.

“Grabitjet i bënte në tunelin e Mirakës, ku grabisnin furgona mallrash dhe pasagjerësh. Këta kanë pasur nivelin më të ulët të grabitjes, pasi këta grabisnin edhe protofolat e njerzve’ u shpreh avokati, Alban Qafa

Pas përplasjes me “Bandën e Cërrikut”, ‘Mandelat” u bënë të njohur në qytetet për mënyrën agresive sesi operonin. Ata u përfshirë në dhjetëra krime të tjera. Grabitën qindra automjete dhe qytetarë, por, organet ligjzbatuese arritën të zbardhnin vetëm një rast, duke lënë shumicën e grabitjeve të pazgjidhura.

I pandehuri D. L, i pa maskuar u ka bërë shenjë të ndalonin dhe të zbrisnin nga makina duke ju drejtuar armët. Dëshmitarët kanë zbritur të frikësuar nga makina ndërsa i pandehuri D. L i ka marrë nga xhepi Xh. P 40.000 lekshin dhe orën e dorës, ndërsa M. B 70.000 leke.

Përveç grabitjeve, banda kreu edhe dy vrasje të rastësishme ndaj personave me të cilët nuk kishin asnjë konflikt. Në një rast, një nga anëtarët e bandës qëlloi nga ballkoni i një banese pranë doganës në drejtim të ullishtës, duke vrarë një person pa asnjë motiv. Pra, ai po testonte aftësinë në qitje tek një njeri i pafajshëm.

Ndërkohë, një tjetër u ekzekutua pasi nuk iu bind një postblloku të ngritur nga anëtarët e bandës, të cilët hapën zjarr mbi automjetin e tij.

(Inside Story)