Ish-Presidenti Bamir Topi ka folur rreth Kuvendit Kombëtar të mbajtur dje nga ish-kryeministri Sali Berisha. Topi u shpreh në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 se opozita tanimë është kthyer në “qesharake”, por nga ana tjetër sipas tij kjo është një “dramë e madhe për shoqërinë shqiptare”.

Sa i përket daljes publike të të bijës së Berishës, Argita Malltezit, Topi tha se ajo është e predispozuar të ecë në hapat e të atit, por do të varet sa do e lejojë ky i fundit. Sipas tij në një parti të dominuar nga “njëshi” preferencat e para për trashëgiminë janë te pjesëtarët e besuar të familjes.

“Ashtu sikurse unë shikoj dinamikën e lëvizjeve në opozitë, do të vijë një ditë kur opozita do të bëhet qesharake. Jemi në një teatër ku po luhet një komedi. Kjo është komedi për PD-në, por dramë e madhe për shoqërinë. Duke parë që situata rrotullohet rreth një individi të pashpresë, kjo shoqëri po shkon në një situatë të pashpresë.

Grupi i Bardhit ka preferuar të mbajë bashkimin në parlament duke i dhënë prioritet kohezionit parlamentar.

Në jetën politike jam rezervuar në komentet rreth familjes, por jemi në politikë, unë shikoj që e bija e Berishës nuk është një personazh që shfaqet rishtaz. Ajo që konsiderohet risi është shfaqja publike.

Zonja Malltezi ka thënë që i përket shtresës së mesme, ndaj më duhet një kohë e gjatë për të parë formëzimin nëse marrim si pikë referimi që zonja Malltezi është shtresë e mesme se si është shoqëria shqiptare.

Ajo parti mund të përcaktohet si një parti që dominohet nga njëshi dhe kur dikush e dominon patjetër që preferencat e para janë të trashëgimtarëve brenda familjes. Kjo është diskutuar gjerë e gjatë, por sot shihet qartë që në një moment të vështirë të Sali Berishës pretendohet të fuqizohet me elementë të rinj si ato brenda familjes.

Ajo shprehet se nuk pretendon më tepër se kaq, nëse Berisha do kërkonte kompromis për tërheqjen nëse vazhdon e bija, do të ishte Argita ajo që do e zëvendësonte?

Jam i bindur se gjithçka që në çdo lloj rrethane gjithë predispozicioni është që ajo të ecë në hapat e të atit, por varet sa e lejon ai. Megjithatë unë këtë e shoh si stacionin e fundit, nuk ka stacion tjetër më, është pika fundore e partisë”, tha ai mes të tjerash.