Ministri i Brendshëm, Taulant Balla është takuar këtë të enjte me të ngarkuarin me punë të ambasadës amerikane në Tiranë, Martin McDowell. Lajmi është njoftuar nga ambasada nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, ndërsa ka zbardhur edhe diskutimet që kanë pasur me njëri-tjetrin.
”I Ngarkuari me Punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell u takua sot me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla.Ata diskutuan bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe mbështetjen për një sërë çështjesh të lidhura me sigurinë.
I ngarkuari me Punë McDowell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit.
Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri.
McDowell i tha gjithashtu ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre”, thuhet në njoftim.