“Vendi dhe momenti i duhur”, kështu e nisi fjalën e tij kryeministri Edi Rama, në çeljen e samitit të Procesit të Berlinit, për herë të parë në Tiranë.
Evenimenti historik, nisi me një performancë spektakolare me koreografi të Angjelin Prelocajt, i cili zbuloi edhe bisedën me kreun e qeverisë. Por, surprizat për liderët e BE-së nuk kishin nisur ende!
Kreu i qeverisë, i kishte dedikuar një korridor të mbushur me foto nga takimet e tij me liderët e BE-së, duke simbolizuar kështu “fluturimin” e Shqipërisë në union.
Pas shfaqjes së baletit, Rama ka ftuar liderët e BE-së të përshkojnë korridorin në ambientet e Piramidës, para nisjes së punimeve të samitit.
Krah Scholz, kryeministri i ndjekur nga Albin Kurti dhe pjesëmarrësit e tjerë të samitit, kaluan përmes korridorit me “copëza” nga takimet e Ramës me liderët evropianë.
Ndërsa më herët, Rama shpjegoi edhe performancën artistike të baletit, e cila ilustroi ekspozimin e pikturës “Rrëmbimi i Europës” (Abduction of Europa), të piktorit italian Giovanni Domenico Cerrini.
“Mirë se erdhët të gjithë! Mendova se ishte vendi i duhur, momenti i duhur për të ekspozuar “Rrëmbimi i Europës’’, kryeveprën e Giovanni Domenico Cerrini”, – iu drejtua të pranishmëve Rama.