Një histori emocionuese e një familjeje shqiptare po bën xhiron e rrjetit në Itali. Babai i ka dhuruar djalit të tij 5-vjeçar një pjesë të mushkërisë.
Andueli, 34 vjeç me origjinë shqiptare, prej pesë vitesh jeton në Italinë qendrore së bashku me gruan e tij Ornela, 35 vjeç dhe djalin e tyre të vetëm, 5 vjeç, i cili vuan nga talasemia. Më herët atij i është bërë transplanti i palcës.
Sipas mediave italiane, ky ka qenë operacion shumë i vështirë, i bërë për herë të parë në Itali, i cili zgjati 11 orë dhe me 100 personel mjekësor më 17 janar burri i dhuroi një pjesë të mushkërive të tij të birit.
Pas këtij operacioni, 5-vjeçari do të bëjë një jetë normale, ashtu si edhe babai i tij i cili duhet të bëjë një jetë më sportive.
Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Andueli tha se nuk e mendoi dy herë, pasi bëhej fjalë për të shpëtuar të birin.
“Ai ishte i sëmurë për dy vjet, mendova se transplanti i palcës kockore që kisha bërë tashmë mund ta zgjidhte problemin, por nuk e bëri. Në dy vite të vijnë në mendje shumë gjëra dhe mendon se nuk do ta zgjidhësh dot kurrë problemin.
Në vend të kësaj, falë Zotit dhe falë mjekëve gjithçka shkoi mirë, tani ai mund të shkojë në kopsht, të luajë me fëmijët e tjerë. Ai nuk rri një moment i qetë, ha pak dhe luan shumë. Për mua nuk ka asgjë më të bukur për të parë, është e mrekullueshme”.