Avokati Saimir Vishaj është shprehur se e njihte personalisht Dan Hutrën duke thënë se ky i fundit e bleu me lekë gruan e dytë.

Ai nënvizoi se gruaja përpiqej të ulte gjakrat në familje ndërsa Dan Hutra ishte njeri krejt ndryshe.

“Unë e njoh shumë mirë Dan Hutrën. Ai dyshonte në një shtatzëni.

Në Shqipëri gratë blihen me lekë dhe që nga ky moment ato duhet të jenë të nënshtruara, të rrinë  brenda mureve të shtëpisë.

Këto lloj martesash na kanë kthyer 500 vite mbrapa. Unë e njihja si familje, ishte shumë e mirë.

Gruaja e dytë mundohej që të pajtohej, që të ulte gjakrat. Hutra ishte njeri krejt ndryshe”- tha Vishaj.

Ai tha se vrasësi i tre grave të mërkurën në kryeqytet, kishte probleme skizofrenie.

Siç tregoi Vishaj, Hutra nuk pranonte atësinë e fëmijëve të tij.

“Ky asnjëherë nuk e pranonte që fëmija është i imi. Këto janë probleme të psiko-motorit që vuan ai sepse një mashkull të ngrejë dorë mbi një femër, jo mbi një, por mbi disa tregon që ka një lloj skizofrenie që hyn më shumë në ato raportet e psikopatisë, sepse një njeri normal që vjen mbas 20 vitesh burgimi dhe të riaktivizosh ato qeliza për të realizuar vepra penale të tilla, aq të rënda që prekin Shqipërinë, është e tmerrshme,” – u shpreh Vishaj.