Në bisedimet politike me homologun shqiptar, presidenti Federal austriak, Alexander Van der Bellen, theksoi vazhdimin e mbështetjes së Austrisë në përparimin e Shqipërisë drejt hyrjes në Bashkimin Europian, (BE) dhe në këtë kontekst, rëndësinë e kryerjes së reformave.

“Inkurajojmë Shqipërinë të kryejë reforma në sektorë që lidhen me sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe drejtësinë e pavarur, që janë ꞔështje thelbësore në fokus të metodologjisë së re të zgjerimit, Austria ka mbështetur reformën në drejtësi në Shqipëri dhe do të vazhdojë bashkëpunimin në forcimin e shtetit të së drejtës”, deklaroi Van der Bellen, në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Shqipërisë, Begaj. Van der Bellen erdhi në Tiranë me ftesë të presidentit shqiptar.

Mbështetjen ndaj përparimit të Shqipërisë dhe ritmeve më të shpejta drejt hyrjes së Shqipërisë në BE dhe në përgjithësi të Ballkanit Perëndimor, Presidenti Federal i Austrisë, Alexander Van der Bellen e sheh në dritën e situatës gjeopolitike të krijuar nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Në një deklaratë të dhënë në APA, (Austria Presse Agentur) lidhur me turin e tij në Ballkanin Parëndimor të nisur me Tiranën, ai vë në dukje që “lufta në Ukrainë zuri papritur vendin e lodhjes nga zgjerimi” dhe paralajmëroi rrezikun e krijimit të një “vaakumi gjeopolitik nëse rajoni nuk mbështetet drejt integrimit.

Vendet e BE-së nuk duhet të lejojnë të krijojnë një vakum në Ballkanin Perëndimor. Në rast të një vakumi gjeopolitik, zgjedhja e vendeve të rajonit do të jetë midis Rusisë dhe Kinës. Austria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e konvergjencës së Ballkanit Perëndimor me BE”, theksoi Van der Bellen në Tiranë.

Van der Bellen: Hiqni dorë nga “pasaportat e arta”

Nisma e “pasaportave të arta” e pezulluar nga qeveria Rama në pritje të vendimit pro ose kundër tyre të Gjykatës Evropiane mori vëmendjen e presidentit austrik Van der Bellen në bisedimet politike që zhvilloi të hënën,(27.03) në Tiranë.

“Nuk është një proces për të cilin është marrë një vendim. Mendoj që Shqipëria të ndjekë udhëzimet e të drejtës europiane. Nisma e „pasaportave të arta” mund të rrezikojë kredibilitetin e procesit të reformave,” the  Van der Bellen, në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Begaj.

Në raport progresin për Shqipërinë  2022, Komisioni Europian e quan nismën e „pasaportave të arta” dhe atë të “amnistisë fiskale”, nisma që “rrezikojnë të bien ndesh me normat e BE.”

Interesa ekonomike – thellim bashkëpunimi

Forumi ekonomik i biznesit austriak i zhvilluar mbrëmë (27.03.) në Tiranë, në kuadër të vizitës së Presidentit Federal, Alexander Van der Bellen tregoi interesin e madh për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të Austrisë me Shqipërinë. Një delegacion prej më shumë se 20 kompanish dhe sipërmarrësish austriakë morën pjesë në këtë forum. Interesat ekonomike të biznesit austriak, të shprehura në forumin e sipërpërmendur u fokusuan në energjitë e rinovueshme, infrastrukturë dhe turizmin.

“Vitet e fundit ka rritje në flukset hyrëse të investimeve të drejtpëdrejta të kapitalit austriak në Shqipëri duke e vendosur Austrinë në vendin e partnerit të 6-të, më të rëndësishëm për Shqipërinë,” tha Presidenti Begaj në fjalen e tij në këtë forum.

Investimet e Austrisë në Shqipëri kapin shifrën e 485 milionë euro. “Më shumë se 50 biznese austriake operojnë në Shqipëri. Çështja kryesore e Forumit Ekonomik të biznesit austriak është zhvillimi i bashkëpunimit në energjinë e rinovueshme dhe infrastrukturën miqësore me mjedisin. Jemi këtu për të ofruar ekspertizën tonë në interes të përbashkët”, tha Van der Bellen

Presidenti austriak Alexander Van der Bellen e vlerësoi të rëndësishme kryesinë nga Shqipëria të Procesit të Berlinit, sivjet në shtator. “Jemi shumë të lumtur që Shqipëria do të ketë kryesinë e Procesit të Berlinit këtë vit. Ne i urojmë palëve negociuese për një zgjidhje sa më të shpejtë të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha Van der Bellen. Të martën (28.03) presidenti Van der Bellen vijon turin e tij ballkanik në Maqedonine e Veriut.

DW