Policia e Shtetit ka publikuar informacionin zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e djeshëm në qytetin e Shkodrës, ku u regjistruan të shtëna me armë zjarri në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali.
Sipas njoftimit paraprak, rreth orës 08:50, shtetasi Rakip Gila dyshohet se ka qëlluar me armë automatike në drejtim të disa personave, duke shkaktuar një bilanc tragjik: dy të vrarë dhe dy të plagosur.
Viktima e parë, Armando Pali, punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, ndërroi jetë në vendngjarje. Viktima e dytë, Liridon Kraja, 31 vjeç, i njohur edhe me mbiemrin Lushi, ndërroi jetë më vonë në Spitalin Rajonal të Shkodrës si pasojë e plagëve të rënda.
Ndërkohë, të plagosur kanë mbetur Erogen Vaso, 43 vjeç, i njohur gjithashtu me mbiemrin Bajroviç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe një 25-vjeçare me inicialet M. K., e cila ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas të shtënave, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Pas disa minutash, efektivët kanë bërë të mundur arrestimin e Rakip Gilës dhe sekuestrimin e armës së krimit, një armë automatike.