Detaje të reja dalin në dritë nga të shtënat me armë zjarri në Lushnjë. Raportohet se shënjestër e atentatit ka qenë Julian Sula, i njohur si rival i grupit të Aldo Bares.

Policia thotë se 45-vjeçari është plagosur në këmbë dhe aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

I plagosuri Julian Sula i njohur dhe si Juli Pashakos është një emër i njohur për policinë e shtetit, pasi ai është arrestuar dhe më parë si i përfshirë në atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, por nuk u gjet asnjë provë dhe më pas ai u la i lirë.

Sula ishte ndër të dyshuarit për atentatin ndaj Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, miq të nipit të Aldo Bares, por ai para hetuesve deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me këtë krim.

Ndërsa më parë ndaj Sulos është bërë dhe një tentativë për ta vrarë, pasi ai është dhunuar fizikisht me leva, duke pësuar dëmtime të shumta, por autorët e këtij krimi nuk u zbardhën kurrë.
“Rreth orës 10:40, në afërsi të stadiumit Lushnjë, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi Julian Sula, 45 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në afërsi të fshatit Lifaj, është konstatuar një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se u përket autorëve.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, njoftoi policia.