Nga Elvis Çela / “EPER Center” –
Në fillim të vitit 2023 u proceduan dy drejtues të lartë të komisariatit të Devollit nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Mësohet se ata ishin në përgjim prej tre muajsh dhe dyshohet se kanë lejuar prerjet e paligjshme të pyjeve si edhe transportin e tyre në disa zona të Korçës.
Ky nuk është rasti i parë i përfshirjes së strukturave të policisë në përkrahjen e prerjes së paligjshme të pyjeve në Korçë. Në vitin 2020 çështja shkoi në SPAK – Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion për dy oficerë policie të Korçës të tjerë, por përfundoi e pushuar për shkak se ishte e vështirë të verifikohej akuza e ngritur. Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit e shohin me shqetësim mungesën e ndëshkueshmërisë së këtyre krimeve mjedisore, duke theksuar se kjo e nxit aktivitetin e paligjshëm të motorsharrave që po masakrojnë kurorën e gjelbër të pyjeve në Bashkinë Korçë.
“Institucionet ligjzbatuese nuk mbështesin ekspertizën për verifikimin e dëmëve duke bërë të vështirë faktimin e akuzës” thotë eksperti mjedisit Kosta Kanari.
Pyjet e Vithkuqit | Foto: Elvis Çela
Në tri vitet e fundit rastet e procedimeve dhe arrestimeve në territorin e Korçës janë shtuar. Kështu në 2020 janë proceduar 9 shtetas për prerje të paligjshme të pyjëve në disa rrugë lidhëse të zonave pyjore të Korçës.
Në 2021 dhe 2022 janë 19 raste të procedimeve për këtë akuzë ndërkohë që në 2023 regjistrohen 4 raste në komisariatin e Devollit. Shumica e këtyre procedimeve ose pushohen ose përfundojnë me dënime minimale. Sipas Kanarit ashpërsimi i dënimeve do të ndalte deri diku shkatërrimin e pyjeve.
Sipas të dhënave nga ‘Global Forest Watch’, një shërbim monitorimi i pyjeve me qendër në SHBA, nga viti 2002 deri në vitin 2020, Shqipëria humbi 36,4 mijë hektarë pyje, e barabartë me një rënie prej 5,6% të sipërfaqes së pyllëzuar.
Dy qarqet më të prekura nga shkatërrimi i paligjshmëm i pyjeve gjatë kësaj periudhe ishin Shkodra dhe Korça, të cilën humën 14,785 hektarë pyje ose 37% e totalit të hapësirës së shpyllëzuar në Shqipëri në dy dekada thuhet në një shkrim të BIRN në vitin 2021 nga gazetarja Blerina Gjoka.
Moratorumi i vitit 2016 konfirmoi se Shqipëria kishte hyrë në një fazë kritike të zhdukjes së pyjeve dhe duhej një ndalesë totale deri në rigjenerimin e tyre. A e ndali kjo masë drastike prerjen? Sigurisht që e minimizoi por krijoi edhe mekanizma të rinj që abuzimet me pyjet të vazhdojnë. Një prej tyre ishte zgjatja e kontratave të koncesioneve të dhëna para moratorumit për shfrytëzimin e pyjeve, që bashkitë tashmë si pronare të pyjeve vazhduan duke lejuar prerje pa kriter dhe mungesë kontrolli.
Sipas Agjensisë Kombëtare të Pyjeve, Bashkia Korçë ka vazhduar një kontratë koncesionare të vitit 2013 në ekonominë pyjore “Bofje e Dusharit”, për të cilën ka pasur një shtesë kontrate një vjeçare që ka mbaruar në 29 maj të këtij viti.
Paralelisht disa bashki shfrytëzuan hapësirën që lë moratoriumi për të dhënë kontrata të përmirësimit të pyjeve me anë të rrallimeve apo pastrimeve sanitare. Në mungesë të ekspertëve, të infrastrukturës dhe vullnetit, institucionet vendore lejuan prerje në dëm të pyjeve.
Bashkia Korçë për shkak të përdorimit të lartë dhe tregut të shit-blerjes së druve të zjarrit dhe qymyrit për ngrohje, qëndron në krye të këtyre kontratave me flamur të kuq në Shqipëri.
Kontrata pa kontroll, dëshmi për prerje pa kriter të sipërfaqeve pyjore në Bashkinë Korçë
Bashkia Korçë nuk ka kontrata për shfrytëzimin e lëndëve drusore. Por ajo që bie në sy janë kontrata rrallimi apo pastrimi sanitar të sipërfaqeve pyjore, për të cilat institucioni vendor harxhon me dhjetra million lekë në vit.
Kështu sipas Open Procurement Albania gjatë vitit 2020 (https://openprocurement.al/sq/tender/view/id/34837), Bashkia Korçë ka nisur një procedurë të klasifikuar “Kërkesë për Propozim” dhe ka finalizuar këtë procedure me lidhjen e kontratës në datën 19 Prill 2021 me subjektin “Ylli Myteveli” PF me vlerë 6 435 932 lek ku përfshihet shërbim për prodhimin, transportin e brendshëm, ngarkim shkarkim, stivim, transport i largët, pastrim parcele për dru zjarri gjatë vitit 2021.
Ndërkohe në vitin 2022 (https://openprocurement.al/sq/tender/view/id/47358) bashkia Korçë ka lidhur kontratë përsëri me subjektin “Ylli Myteveli” PF me vlerë 3 989 042 lek ku përfshihet prerje, transport, stivosje dhe pastrim parcele për dru zjarri deri në fund të vitit 2022.
Tenderi i fundit i shpallur nga Bashkia Korçë i përket datës 13 mars 2023 (https://openprocurement.al/sq/tender/view/id/51282) ku përfshihet prerje, transport, stivosje dhe pastrim parcele të pyjeve të ahut në ekonominë pyjore “Sherrë -Panarit”.
Harta ekonomisë Pyjore “Sherrë -Panarit”. | Harta: Bashkia Korçë
Ajo çfarë bie në sy është mungesa konkurencës dhe shpallja fitues në datën 3 Prill 2023 përsëri të subjektit “Ylli Myteveli” PF. Vlera e kontraktuar është 6 761 071 lek, ndërkohe që vlera e fondit limit të shpallur në fillim të procedurës nga ana e Bashkisë Korçë është 5 911 544 lek. Open Procurement Albania e ka përcaktuar këtë tender me rrisk, pra me flamur të kuq, për shkak të mungesës së konkurueshmërisë kur dihet numri i madh i subjekteve që veprojnë në Korçë në fushën e shërbimeve pyjore. Prokurimi është zhvilluar me një konkurrent të vetëm dhe sipas Open Procurement Albania, kjo procedurë e dyshimtë e Bashkisë Korçë shfaq opsione të formulimit të kritereve dhe afateve në favor të subjektit “Ylli Myteveli” PF të paramenduara dhe klienteliste.
Kujtojmë se ky subjekti “Ylli Myteveli” PF është edhe një prej bizneseve më të mëdhenj për shitjen e lëndës drusore për qytetarët në Bashkinë e Korçës.
Bashkia e pranon që prerjet e paligjshme vazhdojnë ndërkohë që kompania që ka marrë kontratat pastron parcela pyjore të tjera jashtë kontratave. Banorët e fshatrave Çemericë, Shtyllë dhe Panarit përreth zonave të pyjeve thonë se prerjet janë të pamarkuara në pjesën e poshtme të tyre ndërkohë që atje lëvizet vetëm me mjete dhe nuk është e mundur që një sharrë e thjeshtë të presë ato pyje.
Rruga kryesore Vithkuq – Korçë | Foto: Elvis Çela
Përvec humbjes masive të pyjeve të Korçës nëpërmjet kontratave të bashkisë, prerja e pyjeve në mënyrë të paligjshme realizohet edhe nga subjekte apo individë të tjerë të pa licencuar, të cilët vijojnë të shkatërrojnë dhe presin drurë të çdo përmase, ashtu si çdo vit dhe në çdo sezon. Zonat e Dardhës dhe Vithkuqit janë zonat e Bashkisë Korçë ku më së shumti janë konstatuar prerje të paligjshme të pyjeve, për shkak të pyjeve të ahut në moshë të vjetër.
Eksperti Mihallaq Qirjo thotë se “Ndërhyrjet abuzive në pyjet e Korçës sjellin aktualisht përkeqësim të fondit pyjor bashkiak, pra të parametrave të tyre. Kjo ndodh kryesisht për shkak të mbishfrytëzimit të pyjeve dhe mungesës së alternativave të tjera të burimeve të energjisë”.
Arrestimet dhe procedimet për prerje të paligjshme, mosveprim apo lejim të prerjeve nuk e kanë minimizuar problemin. Kjo pasi shumica e çështjeve ose përfundojnë të pushuara qysh në fazën e hetimit në mungesë të provimit të veprës penale për shkak të mungesës së ekspertimit nga ekspertë të pavarur dhe të licencuar në këtë fushë, për të cilët duhen fonde specifike. Njëkohësisht shumë gjoba ngecin në përmbarim dhe në pjesën më të madhe ato arkivohen e nuk vilen duke e kthyer në një masë të dështuar gjobitjen e subjekteve apo individëve për prerje të paligjshme të pyjeve.
Përdorimi pyjeve pa kriter nga ana e Bashkisë dhe shpesh përfshirja e policisë vendore në favorizim të prerjeve të paligjshme, si edhe kostot e shtrenjta të burimeve alternative të energjisë, bëjnë që banorët e Korçës të jenë të orjentuar drejt druve në një përqindje të madhe duke shtruar kërkesën për lëndën drusore, shtuar etjen e binzeseve për më shumë lëndë drusore në treg dhe shtim të prerjeve të paligjshme.
Parametrat e ndotjes së ajrit në qytetin e Korçës sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në janar 2023 janë mbi normat e Bashkimit Evropian dhe nëse vazhdohet kështu atëherë shumë shpejt Korça në dimër nuk do të jetë më një qytet për tu vizituar për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit.