Gjykata Speciale ka arrestuar të enjten edhe ish-ministrin e Drejtësisë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajredin Kuçi, raportojnë mediat në Prishtinë.
Ky është arrestimi i katër që Specialja e ka bërë mëngjesin e së enjtes, pasi që paraprakisht është arrestuar ish-Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Isni Kilaj, ish-shefi e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu, vëllai i dy heronjve, Fahri e Bahri Fazliu, shkruan Albanian Post.
Kuçi është pjesëtar i ekipit mbrojtës të ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, në procesin gjyqësor në Speciale, ku po akuzohet për krime të pretenduara lufte.
Në lidhje me këto arrestime, ka reaguar edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ku ka theksuar se është duke kryer operacione të vazhdueshëm në Kosovë.
Përmes një komunikate për media të enjten, ZPS-ja ka thënë se operacionet kanë të bëjnë me veprat kundër administrimit të drejtësisë, pa dhënë detaje shtesë.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione të vazhdueshme në Kosovë në një hetim që fokusohet në veprat kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar gjyqësorisht nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.