Me arrestimin e Jorgo Goros, Bashkia e Himarës ka mbetur pa kryetar. Deputeti i PS Eduart Ndreca, në një intervistë për “Studio Live” në Report Tv tha se kjo bashki do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

“Normalisht do shkohet drejt zgjedhjeve por do pritet si do rrjedhin ngjarjet për çështjen e ish kryetarit”, tha Ndreca në intervistën me gazetarin Arbër Hitaj.

PS, tha Ndreca ka raport normal me drejtësinë, por kush ka abuzuar duhet të marrë përsipër të përballet me të.

“PS ka raportin më normal me drejtësinë. Kushdo që ka abuzuar le të përgjigjet përballë drejtësisë.  Për raportin e PS me drejtësinë nuk mund të hedhë askush baltë”, shtoi ai.

Një koment bëri edhe për dakordësinë mes PS dhe Rithemelimit për ngritjen e dy komisioneve hetimore, por edhe sesi do të funksionojnë këta të fundit.

“Gjithë diskutimi që është bërë sot s’do ta marrim në pikat e punës së komisionit në të ardhmen. Do ketë ekspertë që do të ndërtojnë programin e punës së komisionit. Në komision do përcaktohen emrat e teknicienëve”, u shpreh deputeti.

Emrat e listës së publikuar sot si dëshmitarë për tu pyetur në komisionin e shëndetësisë, Ndreca tha se janë dhënë për shou pasi nuk janë konfirmuar.

“Nuk ka asgjë sikur Rama dhe kushdo tjetër të japë versionin e tij në këtë komision, do jenë ekspertët që do përcaktojnë qoftë fushat ose personat që lidhen drejtpërdrejt. Gjithë emrat që u dhanë sot janë për shou”.

Sa i përket teorisë që po diskutohet së fundmi për zgjedhje të parakohshme parlamentare, deputeti i PS e mohoi, madje nënvizoi se nuk i do as Rithemelimi.

“Jemi një vit para zgjedhjeve, nuk besoj se ka zgjedhje të parakohshme. Nuk besoj se edhe Rithemelimi kërkon zgjedhje të parakohshme në këtë situatë. Do ishte luks për Ps”,

Ndërsa nënvizoi se nuk ka Pazar mes PS dhe Rithemelimit, shtoi se Komisioni për Reformën Zgjedhore ka mbyllur afatin me dakordësinë e palëve.

“Është një komision që ka bërë një punë siç e kemi parë. Ajo që mendoj është se nëse palët do kenë vullnet për të arritur në një verdikt përfundimtar për reformën ka kohë mjaftueshëm. Komisioni ka bërë atë punë që ka bërë e ka mbyll afatin e tij. Tani mbetet në dakordësinë e palëve nëse do të arrihet ose jo. Janë thuajse dy vite punë, produkti nuk është ai që është pritur. Nuk duhet të ishim në këtë pikë pa një rezultat përfundimtar. Komisioni ka mbyllur afatin me dakordësinë e palëve”.

“Nuk ka Pazar mes PS dhe rithemelimit, ka dakordësi për të rikthyer stabilitetin në kuvend. Unë kam qenë konseguent në të gjithë qëndrimet e mia sa herë kam dalë në media.”

A do ketë ndryshim sistemi, cfarë do miratohet?

“Duhet të kishte punuar shumë komisioni më përparë që të arrinim të zgjidhnim çështjen e votës emigrantëve. Edhe çështja e komisionerëve duhet parë me seriozitet. Por ne duhet të synojmë dhe numërimin e elektronik.”/m.j