Arrestimi i Dritan Rexhepit, i konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, ka marrë vëmendje të madhe edhe në Ekuador, shtet ku ai qëndroi për një kohë të gjatë.
Në fakt, Rexhepi, i cili përflitet si kreu i kartelit të parë shqiptar “Kompania Bello”, fitoi pikërisht lirinë nga burgu i Ekuadorit.
Mjeshtri i arratisjeve, Rexhepi ka arritur të shpëtojë tre herë nga burgjet, një herë në Durrës, më pas në Belgjikë dhe në Itali.
Ndërsa në Ekuador, përmes falsifikimit të një sërë raporteve mjekësore nga një spital në Ekuador, arriti të fitonte lirinë.
Për këtë, politikani dhe gazetari ekuadorian Fernando Villavicencio denoncoi në prokurori Dritan Rexhepin, gjykatësin Poma Chamba, një mbrojtës publik, shtatë zyrtarë nga Shërbimit Kombëtar të Kujdesit Gjithëpërfshirës (SNAI), gjashtë mjekë nga Spitali del Guasmo dhe një mik i Rexhepit.
Në 9 gusht të 2023, në Quito të Ekuadorit, një grup vrasësish pjesë e një karteli të kokainës, ekzekutuan politikanin Villavicencio, i cili në atë kohë kandidonte për President i Ekuadorit. Villavicencio kishte marrë më herët kërcënime nga grupe kriminale, përfshirë edhe kartelin Sinaloa.