Një ekip gjeologësh dhe biologësh nga Universiteti i Kolorados, në bashkëpunim me grupe të tjera kërkimore amerikane, ka arritur të sjellë në jetë mikroorganizma të lashtë që kishin mbetur të bllokuar në akullin e Arktikut për deri në 40,000 vjet. Këto baktere mund të mbijetojnë për shekuj pa lëndë ushqyese, nxehtësi ose dritë, sipas të dhënave nga Shkolla Mjekësore e Harvardit.
“Këto nuk janë ekzemplarë të vdekur”, tha Tristan Caro, një ish-student i diplomuar në gjeoshkenca në Universitetin e Kolorados. “Ato janë të afta të strehojnë jetë aktive dhe të zbërthejnë lëndën organike, duke e liruar atë si dioksid karboni.”
Shkencëtarët u përpoqën t’i “zgjonin” mikroorganizmat duke i ekspozuar ndaj ujit dhe temperaturave nga 4 deri në 12°C, të cilat janë relativisht të ngrohta për rajonin. Pas gjashtë muajsh vëzhgimi, bakteret filluan të prodhonin biofilm – një substancë ngjitëse që mbron viruset dhe mund të lehtësojë përhapjen e tyre. Kjo sugjeron që mikrobeve mund t’u duhen muaj për t’u aktivizuar plotësisht pas një periudhe të ngrohtë.
“Qëllimi ynë ishte të simulonim atë që mund të ndodhte në verë në Alaska në kushtet e ardhshme klimatike, ku temperaturat si këto do të arrinin shtresa më të thella të ngricës së përhershme”, shpjegoi Caro.
Hulumtimi është veçanërisht i rëndësishëm pasi akulli i Arktikut po shkrihet me një shpejtësi të paparë për shkak të ndryshimeve klimatike. Rajoni po ngrohet katër herë më shpejt se mesatarja globale, me vlerësime që sugjerojnë se dy të tretat e akullit të përhershëm mund të humbasin deri në vitin 2100. Kjo shkrirje çliron gazra serrë si dioksidi i karbonit dhe metani, duke e përkeqësuar më tej ngrohjen.
Përveç kësaj, shkencëtarët paralajmërojnë se ngrica e përhershme është shtëpia e baktereve dhe viruseve të panjohura, me pasoja të mundshme për shëndetin e njeriut. Shumë prej tyre mund të jenë tashmë rezistente ndaj antibiotikëve, ndërsa disa specie mund të jenë krejtësisht të reja, duke u përshtatur me kushte ekstreme.
Megjithatë, studimi i këtyre mikroorganizmave ka edhe perspektiva pozitive. Disa baktere mund të çojnë në zhvillimin e antibiotikëve të rinj ose të përdoren për të pastruar ndotësit mjedisorë, siç janë derdhjet e naftës. Deri më tani, viruset e riaktivizuara duket se infektojnë vetëm amebat dhe janë të ndjeshme ndaj kushteve moderne.
«Në këtë pikë, është e vështirë të thuhet se sa të shqetësuar duhet të jemi», tha Andrea Hinwood, shkencëtarja kryesore në Programin e Mjedisit të OKB-së, por shtoi se «ka arsye për shqetësim». Caro vuri në dukje se mikroorganizmat e përdorur ka të ngjarë të mos jenë të aftë të infektojnë njerëzit, por hulumtimi po kryhet në dhoma të sigurta dhe të mbyllura./kohajuaj