Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për sekuestrimin e një apartamenti luksoz në zonën elitare të “Kodrës së Diellit”, në Tiranë.
Pasuria është në pronësi të kompanisë ndërtuese “Agikons”, por hetimet e autoriteteve dyshojnë se apartamenti është një pasuri e fshehur dhe në fakt është përdorur nga çifti i bashkëshortëve Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.
Kujtojmë gjithashtu se Gjykata e Lartë ka caktuar datën 8 korrik, ora 12:00, për shqyrtimin e rekursit të paraqitur nga kryebashkiaku, në lidhje me masën e sigurisë ndaj tij.
Ndërkohë, këtë të martë në orën 11:30, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të zhvillohet seanca lidhur me raportimin dy mujor të ecurisë së hetimeve nga SPAK për Erion Veliajn.
Kryebashkiaku i Tiranës nuk do të jetë i pranishëm, pasi ka firmosur një deklaratë nga IEVP Durrës, dhe do të përfaqësohet nga avokati i tij.
Më 9 qershor, Apeli i GJKKO la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Veliajn, i cili kishte kërkuar lirinë kundrejt garancisë pasurore, pa propozuar një shumë konkrete ndërsa kërkesa u rrëzua nga gjyqtari Engert Pëllumbi
Erion Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025 dhe është në hetim nga SPAK për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.