Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për shefin e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Roven Zeka, ndërsa ka zbutur masën për shefin e hetimit të aksidenteve, Sokol Novaku, duke e kaluar atë në “arrest në shtëpi” për shkak të rrethanave familjare.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Engert Pëllumbi ndërsa dy zyrtarët policorë u arrestuan si pjesë e një hetimi të nisur nga SPAK, për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.lg.php?bannerid=77&campaignid=9&zoneid=16&loc=https%3A%2F%2Feuronews.al%2Fdyshohet se mori ryshfet apeli i gjkko le ne burg shefin e rrugores se tiranes%2F&referer=https%3A%2F%2Feuronews

Akuzat: Marrje ryshfeti për të shmangur ndalimin

Sipas SPAK, më 16 prill 2025, në Tiranë, një grua me inicialet A.V. u përfshi në një aksident rrugor, ku u plagosën pesë persona që udhëtonin në një tjetër automjet.

Shoferja, bashkëshortja e shtetasit E.V., i dyshuar për korrupsion aktiv, dyshohet se i ka dhënë ryshfet dy zyrtarëve të policisë për të shmangur ndalimin.

Hetimet tregojnë se efektivët i kanë kërkuar familjarëve të saj një shumë prej 2 mijë eurosh për të mos arrestuar A.V. Paratë janë siguruar nga bashkëshorti i saj, me ndihmën e personave të tjerë, dhe janë dorëzuar njërit prej efektivëve të policisë rrugore – fakt që, sipas SPAK, është provuar gjatë hetimeve.

Operacioni u krye nga Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.