Pas diplomates amerikane Yuri Kim, edhe ambasadores franceze Elisabeth Barasacq i përfundon mandati. Nga Korça ambasadorja franceze ka folur në lidhje me reformat e qeverisë e deri tek lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

E pyetur në lidhje me integrimin e Shqipërisë drejt BE-së, ambasadorja franceze u shpreh se Shqipëria është në fazën ku BE po verifikon se çfarë ka bërë Shqipëria në zbatimin e reformave.

“Duhet të kujtoj se Shqipëria tashmë është në fazën ku komuniteti evropian po verifikon se çfarë Shqipëria ka bërë në zbatimin e reformave”,- tha Barasacq.

Ajo tha se ka akoma shumë për të bërë në fushën e reformave veçanërisht në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

“Ka akoma shumë reforma për të bëre në fusha të ndryshme në atë të qeverisjes luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Ritmi i shkëmbimeve dhe marrëdhënieve me Bashkimin Europian dhe Shqipërinë është një ritëm që përcaktohet vetëm nga Shqipëria”- tha diplomatja franceze.

Ambasadorja Franceze në përfundim të mandatit shtoi gjithashtu se në 3  vitet e  saj në Shqipëri marrëdhëniet midis dy vendeve janë zhvilluar jashtë mase, por do donte të bënte më shumë pasi në vitin e parë të mandatit të saj ishte vit pandemie.